Reagon drejtori i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane: Ndryshimi i TVSH-së e rëndon jetën e qytetarëve

     

     

    Drejtori i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane, Samir Krasniqi ka reaguar për pakon e re të Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar. Ai ka thënë se ky ndryshim i TVSH-së vetëm sa do ta rëndojë jetën e qytetarëve të vendit. Sipas tij, ky ndryshim nuk pritet të ketë kurrfarë efektesh pozitive.

    Lexojeni të plotë shënimin e tij:

    E kuptoj ministrin e financave që duhet mbushur arken e shtetit, por ka shumë mënyra tjera për ta bërë këtë, një nga to është lufta kundër informalitetit dhe jo duke bërë ndryshime të cilat rëndojnë qytetarët por edhe komunitetin e biznesit.

    Ndryshimet e Tatitmit të Vlerës së Shtuar, që nisën nga sot, nuk janë me efekt pozitiv, dhe si të tillë qeveria as nuk duhet t`i proklamoj. Ajo që do duhej bërë është të tregonte qartë se çka i pret konsumatorët dhe bizneset me këto ndryshime!

    Ndryshimet në TVSH, si rrjedhojë nuk do ta ndihmojnë as biznesin e as qytetarin, andaj si të tilla, sa për të thënë se janë bërë ndryshime, nuk do të duhej të bëheshin fare.

    Goditja e konsumatorit do të jetë e gjërë, sepse artikujve që u ngritet TVSH janë shumë më tepër se atyre që u është ulur. Ndërsa kjo do të reflektoj në rënie të fuqisë blerëse çfarë direkt do ta rëndoj biznesin, i cili po ashtu, që në start del i humbur, pasi intervenimi në arkat fiskale ka një çmim, e të cilin në rrethana normale do të duhej ta mbulonte shteti gjë të cilën nuk e ka paralajmëruar se do ta bëjë.