Rashica për mediumin gjerman: Kur luajmë në Kosovë, askush nuk shkon të punojë

Sulmuesi kosovar, Milot Rashica po kalon një sezon të shkëlyqer. Me Werder Bremenin, ai po lufton në betejën e mbetjes në Bundesligë, ndërkaq me Kosovën 23-vjeçari shpreson të marrë pjesë në Kampionatin Evropian.

Për Rashicën, pjesëmarrja në Kampionatin Evropian me Kosovën do të ishte suksesi më i madh i deritanishëm në karrierën e tij.

“Do të bënim histori”, tha Rashica në një intervistë për agjencinë gjermane të shtypit gjatë kampit trajnues së klubit nga Bundesliga në Mallorca. “Futbolli dhe ekipi kombëtar janë gjëra të mëdha në Kosovë. Kur luajmë atje, askush nuk shkon të punojë. Gjithçka pushon, të gjithë janë në stadium ose para televizorit”, tha sulmuesi nga Vushtrria duke e përshkruar euforinë e kosovarëve, transmeton Gazeta Sinjali.

Kosova përfundoi e treta në turneun kualifikues për Kampionatin Evropian pas Anglisë dhe Çekisë dhe arriti në play off të Kampionatit Evropian përmes Ligës së Kombeve.

Pas disa muajsh, Rashica dhe bashkëlojtarët e tij te Kosova duhet të luajnë kundër Maqedonisë së Veriut më 26 mars. Në rast se fitojnë, ndeshja kundër Gjeorgjisë ose Bjellorusisë do të ishte determinuese për ta siguruar një biletë për Euro2020.

“Unë mendoj se shanset janë. Nëse e shihni se si luajtëm ndeshjet e fundit kualifikuese dhe në Ligën e Kombeve, ne treguam se mund të vazhdojmë”, tha Rashica.

Përveç kualifikimit në Evropian, çështje e rëndësishme për sulmuesin është edhe mbetja në Bundesligë me Werder Bremenin.

“Do të ishte një verë e përkryer nëse do të mund të përfundonim me sukses të dyja misionet. Jam plotësisht i bindur se do të kemi sukses”, u shpreh Rashica. /Gazeta Sinjali/

- Advertisement -

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

MË TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com