Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj për të diskutuar rreth përfshirjes dhe kategorizimit të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Dukagjinit.
Takimi është mbajtur pas letrës që Haradinaj, njëherit ish komandant i Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, i ka drejtuar Komisionit për Verifikimin e Statusit të Veteranit dhe presidentes Jahjaga e kryeministrit, Isa Mustafa.
Presidentja Jahjaga e theksoi nevojën që të gjitha palët dhe institucionet të punojnë bashkërisht në respektimin e ligjit, kritereve dhe specifikave të zonave për të siguruar një proces gjithëpërfshirës që njeh dhe vlerëson meritat e secilit qytetar të Kosovës të angazhuar në përpjekjet tona për liri.
Ndryshe dje Haradinaj i ka shkruar një letër Jahjagës, Mustafës dhe Agim Çekut nëpërmes së cilës iu bëhet e ditur se gjatë organizimeve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëpër fshatra dhe regjione të ndryshme janë formuar shtabet lokale/komunale të UÇK-së dhe në këtë kuadër shumë njerëz janë angazhuar në ngritjen e tyre.
“Krahas organizimit dhe profilizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, formimit të brigadave dhe njësive të tjera organizative, të njëjtit kanë vazhduar angazhimin e tyre në kuadër të UÇK-së. Ata, edhe nëse nuk janë përfshirë nëpër brigada dhe njësi të tjera organizative, kanë dhënë kontributin e tyre në shtabet lokale/komunale të UÇK-së dhe kanë qenë pjesë aktive e luftës sonë deri në çlirim. Andaj, shërbimi i tyre nuk përfundon me krijimin e njësive të tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nisur nga kjo, propozoj që të gjithë atyre që ishin pjesë e këtyre shtabeve lokale/komunale të UÇK-së t’iu njihet ajo që iu takon, statusi i ushtarit/veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit të UÇK-së”, ishte thënë në letrën e kryetarit Haradinaj.