Ramosaj me libër mbi terrorizmin serb në Kosovë

Fetnete Ramosaj, e njohur për opinionin publik si autore e disa monografive dhe librave që dëshmojnë për krimet serbe të kryera në Kosovë, këto ditë doli me libër mjaft të guximshëm në shqip dhe anglisht “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, e cila demaskon dhe dekonspiron deri në palcë organizatat terroriste serbe të cilat në kohë dhe periudha të ndryshme vepruan në Kosovë dhe jashtë saj.

Që në fillim të librit , Ramosaj bën një vështrim të shkurtër mbi historikun dhe veprimtarinë e organizatave ekstremiste serbe, duke filluar nga “Crna Ruka” (“Dora e Zezë”), “Narodna Odbrana” (“Mbrojtja Popullore”) , “Bella Ruka” (“Dora e Bardhë”), për të vazhduar me lëvizjet çetnike serbe gjatë Luftës së Dytë Botërore, si: “Klubi i Rankoviqit” , shoqatën ekstremiste serbo-malazeze “Bozhur” , njësitet paramilitare – gardat vullnetare të partive politike serbe gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë e në Kosovë etj.

Libri në fjalë, argumenton në mënyrë kronologjike aktivitetin ekstremist, por edhe terrorist të këtyre organizatave, të cilat datojnë para më shumë se 100 vjetësh e që janë aktive edhe sot, me shtrirje në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, por edhe në vende të ndryshme të Europës e të botës.

Ky libër u shërben dhe është atraktiv edhe për shërbimet diplomatike, u shërben gjyqeve, strukturave të sigurisë, agjencive të inteligjencës dhe gjithsecilit që dëshiron ta prekë dhe ta shohë të vërtetën lakuriqe për Kosovën dhe gjendjen në të cilën ndodhet. Ndërkaq, botimi në gjuhën angleze u ofron qasje edhe të tjerëve, botës së qytetëruar, miqve dhe dashamirëve të Kosovës, që ta shohin realitetin e zhvillimeve në Kosovë, ku Serbia edhe më tutje jashtëligjshëm tenton ta mbajë të shtrirë influencën e vet. Sipas të dhënave të prezantuara në këtë libër, një gjë e tillë po ndodhë edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT