Ramadani – Hazirit: Me deklarata nga periferia s’i ndihmon dot kësaj qeverie

    Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, e ka vlerësuar të pakuptimtë deklaratën e anëtarit të Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ka thënë se qeveria e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa (kryetar i LDK-së), është premtuese dhe shpresëdhënëse.
     Pa ia përmendur emrin Hazirit, por duke aluduar në vlerësimet e tij për 100 ditëshin e qeverisë, Ramadani ka thënë se deklaratat nga periferia (të kryetarit të Gjilanit) nuk i ndihmojnë Qeverisë.

    “Të thuash se Qeveria është premtuese dhe shpresëdhënëse, edhe mund të mirëkuptohej me kushtin që të thuash kështu në dy-tri ditët e para.Por, pas 100 ditëve të para të qeversijes, vet Qeveria është fshehur dhe nuk po ka fytyrë të thotë një fjalë të vetme për mos-punën e vet”, ka shkruar Ramadani në profilin e tij në Facebook.

    “Prandaj, këto deklaratat prej periferisë për Qeverinë premtuese dhe shpresëdhënëse janë asgjë më pak se një tentim për t’i ndihmuar Qeverisë, e cila nuk po arrin t’i ndihmojë as vetes se lëre më popullit”.

    “Shpresa është në alternativë. Shpresa është në ndershmëri e përkushtim”, ka shkruar Ramadani në profilin e tij në Facebook.