Rama takon arkitektët italianë, ky është stadiumi i Kombëtares (Foto)

Pas mbërritjes së Kombëtares në Shqipëri me biletën e Euro 2016 në xhep, Kryeministri Edi Rama premtoi nisjen e punimeve për ndërtimin e “Arenës Kombëtare” në Tiranë.

Deklarata e shefit të qeverisë në pritjen që u bëri skuadrës kuqezi pasohet nga hapat e radhës për të vënë në jetë projektin që do ta rikthejë kombëtaren në kryeqytet dhe do t’i dhurojë Tiranës një kompleks sportiv modern. Gjatë ditës së Dielë, numri 1 i qeverisë, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe arkitektë italianë që do të udhëhqein projektin, janë takuar në ambientet e stadiumit “Qemal Stafa” për të diskutuar rreth nisjes së punimeve.

Takimi është zhvilluar larg syve të medias dhe sipas informacioneve, bizneseve që po zhvillojnë aktivitetin në hapësirat e stadiumit aktual u është kërkuar që të largohen nga ambjentet aktuale deri ne muajin Dhjetor pasi prishja e “Qemal Stafës” do të nisë gjatë ditëve të para të vitit 2016.

Stadiumi i ri do të ndërtohet sipas projektit të prezantuar nga konsorciumi italian “Serenissima”. “Arena Kombëtare” do të ketë një kapacitet prej 22 mijë vendesh dhe të gjitha tribunat parashikohet që të jenë të mbuluara. Përveç stadiumit, në hapësirën 36 mijë metra katrorë është parashikuar të ndërtohet edhe një qendër biznesi si dhe ambjente për shërbime të tjera. Projekti do të investohet nga Qeveria Shqiptare dhe Federata Shqiptare e Futbollit dhe sipas parashikimeve, puna për ndërtimin mund të përfundojë në vitin 2018.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT