Rama shpërndan 388 legalizime falas në Kukës

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Kukës ku ka shpërndarë dokumentet e legalizimeve për disa prej banorëve të qytetit.

Në fjalën e tij, Rama nënvizoi se “legalizimi formalizon pronën dhe e bën atë një pasuri të patundshme, gjithashtu i jep një pasuri të re ekonomisë tuaj familjare, por edhe pasurisë tonë kombëtare”.

Sipas kreut të ekzekutivit, pa shtëpi të legalizuara nuk qytetarët nuk kërkojnë dot kredi për ngritjen e një biznesi apo për diçka tjetër në asnjë bankë sepse bankat kërkojnë provë dhe garanci që do ta shlyeni kredinë.

“Legalizimi i shtëpive i të gjithë atyre që për një jetë më të mirë i kanë futur të gjitha kursimet për shtëpi, nuk është thjeshtë që shtëpia sot formalizohet dhe bëhet një pasuri e patundshme, por i jep një pasuri të re ekonomisë tuaj familjare por edhe pasurisë tonë kombëtare. Pa shtëpi të legalizuara ju nuk kërkoni dot kredi për asgjë në asnjë bankë sepse ajo kërkon provë dhe garanci që ju do ta shlyeni kredinë. Duke vendosur si garanci shtëpinë tuaj tashmë të legalizuar, ju i kërkoni bankës një shumë për të bërë një investim dhe banka do t’ju mundësojë këtë shumë lehtë sepse banka e di se duke lënë si garanci shtëpinë ju nuk do të zhdukeni, nuk do të largoheni”, tha Rama.

Duke theksuar rëndësinë e pajisjes me certifikatë pronësie, Rama ka thënë se me legalizimin e shtëpive qytetarët do kenë mundësi të paguajnë edhe taksa për bashkinë, të cilat do të shkojnë në rritjen e mirëqenies së tyre.

Duke u krahasuar me paraardhësit e tij të djathtë në pushtet, Rama tha se qeveria e kaluar ka dhënë vetëm 341 legalizime për Kukasin në 8 vite, ndërsa maxhoranca e sotme sipas tij vetëm për një vit legalizoi në Kukës 388 shtëpi.

“Me legalizimin e shtëpive ju do keni mundësi të paguani edhe taksa për bashkinë që do të shkojnë në rritjen e mirëqenies tuaj. 341 Legalizime bëri qeveria e kaluar për Kukasin në 8 vite, ndërsa ne për vetëm një vit legalizuam 388 shtëpi.

Ne do të bëjmë edhe më shumë për këtë qytet, do të investojmë në përmirësimin e shkollave, do krijojmë një hapësirë që shkolla të shërbejë edhe si qendër komunitare. Janë rreth 20 vite mungesë vëmendje dhe keq qeverisje dhe të gjitha nuk mund të mbyllen për 18 muaj, por kurimi ka filluar dhe ne jemi në rrugën e duhur. Me mënyrën si është reformuar qeverisja vendore do të shikojmë ndryshime që asnjëherë nuk i kemi parë më parë”, theksoi Rama.

I pranishëm në këtë eveniment, ka qenë edhe kryetari i komunës së Kukësit Hasan Halili, i cili i uroi të gjithë të pranishmit për pronat e tyre.

Ai njoftoi se se që nga muaji qershor do të fillojë shpërndarja e certifikatave të pronësisë për 250 familje të tjera, të cilët janë pronarë të tokave të ish-ndërmarrjes bujqësore në Kukës. Ai ka thënë se ata nuk janë pajisur me certifikata pronësie për shkak të neglizhencës dhe zvarritjes së qeverisë së kaluar.

“Kukësianët kanë qenë pronarë, por pa pronat e tyre të pasura në dorë. Por, falë ndërhyrjes së qeverisë për njohjen e tokave të ish-ndërmarrjes bujqësore , që nga muaji tjetër rreth 250 familje do të përfitojnë certifikatat e pronësisë së këtyre tokave, të cilat i kanë pronë të tyre. Ata për shkak të zvarritjes dhe neglizhimit të qeverisë së kaluar nuk kanë mundur të pajiseshin me certifikatat e pronësisë së tyre”, tha Halili.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT