“Qeveria në Tiranë ka humbur një procedurë arbitrazhi për një proces gjyqësor investitorësh mbi shpronësimin e një stacioni televiziv dhe nuk dëshiron të paguajë.

Kështu e nis shkrimin e saj të titulluar “Pasuritë shqiptare në Austri konfiskohen pas një vendimi arbitrazhi” e përditshmja austriake, Der Standard.

Asetet e shtetit shqiptar nëpër botë kanë nisur të sekuestrohen për shkak se qeveria shqiptare ka refuzuar të paguajë gjobën e arbitrazhit, prej mbi 100 milionë euro, për biznesmenin italian, Françesko Beketi.

Der Standard thotë se vetëm selitë diplomatike nuk mund të konfiskohen, ndërsa për pjesën tjetër firmat ligjore kanë të drejtë për të nisur procedurën e konfiskimit. Këtu përfshihen llogari bankare, apo lloje të tjera pasurish.

Përveç Austrisë, ka procedime paralele në vendet e tjera të Evropës, të cilat do të ndalojnë, sapo shuma totale të jetë mbledhur.-shkruan Der Standart.

Sipas gazetës, një email i pazakontë ka mbërritur nëpër disa banka dhe kompani energjetike austriake. Një firmë ligjore u kërkon të dinë nëse kanë ndonjë aset apo pretendim nga Republika e Shqipërisë.

“Arsyeja është një arbitrazh që investitorët italianë sollën në vitin 2015 kundër Shqipërisë dhe e fituan. Gjykata ndërkombëtare e arbitrazhit në Qendrën për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve u dha atyre rreth 100 milionë euro kompensim në prill të vitit 2019. Për shkak se qeveria në Tiranë refuzon të zbatojë këtë vendim të arbitrazhit, pasuritë shqiptare, që nuk mbrohen nga konventat diplomatike, mund të konfiskohen tani në të gjithë botën”, shkruan gazeta.

Gjithçka ka ardhur pasi Edi Rama, vendosi të mbyllë televizionin kritik “Agon Channel”

Mësohet se në Austri, një firmë ligjore ka ndërmarrë përsipër mbledhjen e mbi 25 milionë eurove pasuri për Françesko Beketin.

“Çështja shqiptare është veçanërisht pikante sepse ka të bëjë gjithashtu me lirinë e shtypit, përkatësisht për kompaninë televizive Agonset, e cila, sipas mendimit të gjykatës së arbitrazhit, u shtetëzua sepse ishte tepër kritike ndaj qeverisë. Shpronësimi “ishte kulmi i një fushate politike kundër paditësve”, të cilët gjithashtu u ndoqën me procedime të diskutueshme penale. Shqipëria zakonisht merr nota të mira për klimën e saj të investimeve, por tashmë ka humbur disa procedura të arbitrazhit kundër investitorëve. Në procesin e pranimit në BE, gjyqësori shihet si pika më e dobët, kjo është arsyeja pse investitorët vështirë se i drejtohen gjykatave vendase në mosmarrëveshje dhe përdorin ligjin ndërkombëtar të arbitrazhit.“- sqarohet më tej në shkrim.

Përfaqësuesi i kësaj firme thotë se të tilla procedura janë të rralla. Sipas gazetës, krahas Austrisë, të tilla procedura po zhvillohen edhe në shtete të tjera.

Qeveria shqiptare nuk pranon të paguajë, duke përmendur një proces të vazhdueshëm ankese. Sidoqoftë, pretendimet tashmë janë të mbledhshme. Në fakt, sipas një platforme kërkimore shqiptare, Ministria e Financave në Tiranë tashmë ka buxhetuar 110 milion euro si detyrim.

Pavarësisht këtij pretendimi nga qeveria shqiptare, borxhi është i detyrueshëm të paguhet, shkruan gazeta.