Rama: Nuk do të ketë shpime për naftë në Zagori

Pas protestës së banorëve të Zagorisë, kompania Shell ka deklaruar se nuk do të ketë kërkime për naftë në këtë zonë. Kjo është konfirmuar nga drejtori i saj në Shqipëri, Rohan D’Souza, përmes një deklarate për mediat, transmeton Klan Kosova.

“Pavarësisht rezultateve të studimit sizmik që kompania planifikon në Bllokun 4, Shell nuk do të kryejë aktivitete kërkuese, shpuese në nënzonën e mbrojtur të Zagorisë, e cila gëzon një mbrojtje të veçantë nga legjislacioni shqiptar”.

Në një reagim në Twitter, Kryeministri Rama ka shpjeguar se zona është park kombëtar dhe nuk do të lejohen kërkime.

“Ne e kemi shpallur Parkun Kombëtar në vazhdën e programit të mbrojtjes së bukurive të natyrës sonë nga HEC-e, gurore, etj. Si mund të lejojmë aty shpime naftëkërkuese! Nuk bën vaki”.

E njëjta kompani pritet të nisë kërkimet në zonën e Shpiragut. Të dhënat, sipas Kryeministrit Rama, flasin për një rezervë të madhe të gazit dhe naftës. Ai theksoi se nëse provat dalin me sukses, impakti në ekonomi do të jetë i konsiderueshëm, shkruan Tv Klan.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT