Rama: Kosova pa viza, turp i BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në pritjen e fundvitit me ambasadorë e përfaqësues diplomatikë të akredituar në Shqipëri, e ka quajtur turp për BE-në mosliberalizimin e vizave për Kosovën, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në traditën e këtij takimi të fundvitit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë me diplomatët e akredituar në Tiranë këndvështrimin mbi zhvillimet e një viti në Shqipëri, në rajon e më gjerë.

“Sigurisht, që kur ka kaluar dhe një vit tjetër dhe kur më duhet të kujtohem se përsëri një popull i vetëm në mes të Evropës, populli shqiptar i Kosovës vazhdon të jetë i penguar të lëvizë lirisht nëpër Evropë si gjithë të tjerët, nuk mund të mos e ndaj me ju turpin që ndiej për BE-në, në raport me këtë të vërtetë kaq të hidhur që është e vërteta e njerëzve të atij vendi të ndaluar që të jenë njësoj si gjithë të tjerët së paku në të drejtën për të lëvizur lirisht”, tha para ambasadorëve e diplomatëve të akredituar në Shqipëri kryeministri Edi Rama.

Shefi i Qeverisë shqiptare beson se ky ndalim është një shprehje kuptimplotë e një dobësie që jo vetëm këtu, por në shumë aspekte sot manifestohet nga BE-ja.