Rama: Kandidatët e SHQUP-it nuk i duhen as dreqit!

Kryeministri, Edi Rama ka prezantuar sot në qytetin e Tepelenës kandidatin e koalicionit të majtë për këtë bashki, Tërmet Peçin. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni, Rama foli për shfrytëzimin e turizmit për zhvillimin e këtij qyteti.

“Kemi ndërtuar së bashku një sërë projektesh, që rinxorrën në pah këtë kala që është një vlerë e trashëgimisë kulturore për të gjithë Tepelenën por edhe për të gjithë Shqipërinë. Dhe jam i sigurtë që këtu do të ndalen vizitorë të shumtë nga brenda dhe jashtë Shqipërisë”, u shpreh kryeministri.

“Çdo qytet i Mesdheut, Europës që do të kishte këtë thesar që keni ju këtu, nuk do të ishte në mjerim. Tepelena është një bashki e re që mbledh të gjitha komunat rrotull saj, territore dhe potenciale të mëdha të bujqësore dhe blektorale. Kalimi i përgjegjësive tek bashkitë dhe kryetarët e bashkive është një rrugë që do të favorizojë zhvillimin”.

Duke folur për kundërshtarin e Peçit në këtë qytet, por dhe për të gjithë kandidatët e Partisë Demokratikë për bashkitë e vendit që garojnë në zgjedhjet e 21 qershorit, Rama u shpreh se kandidatët e PD-së nuk janë vendosur për të bërë punë, por për të mbajtur peng qytetin, ndaj ata “nuk i duhen as dreqit”.

“Këta kandidatë që keni ju këtu nuk i duhen as dreqit, jo më Tepelenës. Kandidatët e PD-së janë vendosur nga SHQUP-i jo për të bërë punë, por për ta mbajtur peng qytetin, për t’i dhënë oksigjen SHQUP-it. Mundohet të mbledhë votat duke përfituar nga pakënaqësia e shumë njerëzve që janë të varfër dhe të papunë, por nuk janë budallenj të hanë ato që thotë SHQUP-i. Kush ka jetuar me punë dhe i di hallet e punës e di shumë mirë se problemet e shumta të mbartura në 20 vite nuk mund të zgjidheshin në një kohë kaq të shkurtër”, u shpreh Rama.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT