Infektologu Lul Raka e ka quajtur shqetësues rritjen e numrit të rasteve me COVID-19 në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se shtylla kryesore e përgjigjes ndaj pandemisë është kapaciteti shëndetësor në Kosovë, për të cilin thotë se po ngarkohet dita e ditës.

“Kësaj rritje i kemi kontribuar të gjithë: qytetarët, të cilët nuk i përfillin fare masat parandaluese. Por, edhe politikanë, të cilët vazhdojnë ta përdorin COVID-19 si monetë për kusuritje të ndërsjellët”, ka thënë ai.

Ai ka bërë thirrje që të respektohen masat për parandalimin e koronavirusit.

“Mbani distancën fizike kudo dhe gjatë tërë kohës. Kjo është komponenta kryesore në parandalim! Në vendet ku nuk mund të mbahet distancë, vendosni maska! Mbani higjienën e duarve”, ka shkruar ai.

Ai ka pasur mesazh edhe për politikanët në vend.

“Politikanë të nderuar: Ju lutemi kthjelluni, bashkohuni dhe tregoni lidership në këto kohë të vështira. Parandalimi i sëmundjes është arma e vetme në duart tona! Vetëm së bashku e përballojmë këtë sfidë”, ka thënë Raka.