Rajoni i Mitrovicës ka 300 mijë banorë, por asnjë kirurg

Janë bërë dy muaj që në spitalin e Mitrovicës nuk është duke u realizuar asnjë operacion. Në repartin e kirurgjisë të këtij spitali, sallat e operacionit kanë mbetur të zbrazëta.
Kirurgët nga Prishtina, që shkonin me radhë në këtë spital, ka dy muaj që kanë ndërprerë këto kujdestari, raporton KTV.
“Aktualisht kujdestaritë nga QKUK-ja janë ndërprerë për të vetmen arsye se ato i kanë kushtuar shumë buxhetit të QKUK-së dhe ka qenë e pamundur të vazhdojnë me buxhetin aktual. Sepse, një kujdestari për një kirurg dhe anesteziolog ka shkuar nga 150-180 euro për 24 orë, plus shërbimet e transportit nga QKUK-ja deri në spitalin e Mitrovicës dhe anasjelltas”, ka thënë Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, transmeton koha.net.
Në mungesë të kirurgëve, edhe puna e teknikëve të anestezionit është përgjysmuar. Kurse i vetmi kirurg që vazhdon të punojë atje, Vehbi Leka, ka thënë se aty nevojitet një staf më i madh.
Ndërsa, drejtori i këtij spitali, Mirdi Strana, thekson se janë duke biseduar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe se shumë shpejt pritet rikthimi i kirurgëve.
Deri atëherë, të sëmurët e këtij rajon me 300 mijë banorë, janë të detyruar të shkojnë për operime në Vushtrri dhe Prishtinë.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT