Qytetarët e Skenderajt kërkojnë nga kryetari i ardhshëm ta ndalë migrimin dhe t’i ndihmojë familjet e dëshmorëve

Skenderaj është qyteti që ka domethënie për të gjithë shqiptarët. E qytetarët e kësaj komune në prag të zgjedhjeve lokale kanë kërkesa dhe mesazh për kryetarin e ri të komunës.

Sipas tyre, duhet të lihet anash arroganca dhe të punohet për zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët, si çështja e punësimit, migrimit e të ndihmohen familjet e dëshmorëve.

“Kurgjo nuk presim, intelekti këtu është i ulët, idetë janë të ulëta dhe këta vetëm i zmadhojnë punët, rrugët janë katastrofë, kanë arrogancë idiotike, ma kërkojnë certifikatën e lindjes, po ju po më shihni që jam gjallë nuk kam vdekur”, tha Avdi Islami.

E disa të tjerë thonë që duhet t’i ketë parasysh më shumë fshatrat dhe të punojnë më shumë për to dhe ta ndalë emigracionin.

“Ai që fiton, e kisha ftu me u merr me bashkësi lokale më shumë dhe me fshatra, për ditë po shkojnë sa ma keq, po ikin jashtë, duhet me e ndal migrimin, me e bë punësimin adekuat të të rinjve” u shpreh një qytetar tjetër i Skenderajt.

Kurse kryetarit të ri të kësaj komune nuk e lanë pa i dërguar një mesazh.

“Mos t’i harroj ushtarët e UÇK-së assesi familjet e dëshmorëve dhe martirëve të luftës, assesi familjet e dëshmorëve dhe martirëve të luftës”, tha Myrvete Ahmeti. /Telegrafi/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT