QKUK me aparaturë të vjetruar kryen analiza të mangëta

Qendra Klinike Universitare për kryerjen e analizave biokimike përdorë aparaturë të vjetruar. Ndërkohë, ka edhe aparatura mjekësore që ndonëse kanë kushtuar shtrenjtë buxhetit të spitalit, ato nuk përdoren për kryerjen e analizave.
Këtë e konfirmon për Indeksonline, drejtori i shërbimit të Biokimisë në QKUK, Bislim Bislimi.
“Në Klinikën tonë janë disa lloje aparaturash që janë edhe me moshë të ndryshme. Asnjë analizator nuk është më i ri se dy vjet, ndërsa ka nga ta që kanë mbushë 7 vite”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, spitali ka edhe aparatura që janë blerë dhe janë jashtë funksionit. “Disa nga këto aparatura kryejnë të njëjtat analiza me aparatin tjetër që e kemi në punë dhe këtë aparat e përdorim në rastet kur kemi defekte të cilat nuk mund të sanohen për një kohë të shkurtër, pra këto aparate plotësojnë njëri- tjetrin”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, në Klinikën e Biokimisë Mjekësore dhe laboratorët që mbikëqyren nga kjo klinikë, brenda QKUK-së kryhen rreth 60 lloje të ndryshme të analizave te gjakut, urinës dhe lëngjeve tjera trupore.
Ndërkohë, nga pacientët ka ankesa se spitali kryen vetëm analizat për pacientët që janë duke u mjekuar aty, e jo edhe për ata pacientë që nuk mund të kryejnë analizat në ambulanta.
Për këtë drejtori i biokimisë ka këtë shpjegim: “Para 6-7 vitesh ka pasur një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Menaxhmentit të atëhershëm të QKUK-së dhe Drejtorit të Drejtorisë për Shëndetësi të Komunës së Prishtinës në bazë të së cilës, pacientët ambulantor nga Prishtina me rrethinë, analizat laboratorike do t’i kryejnë nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare, ndërsa Klinika e Biokimisë të mbetet në shërbim të paciantëve të shtrirë nëpër klinika”.
Bislimi thotë se kjo marrëveshje është bërë për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore për të furnizuar Klinikën e Biokimise me reagensa që janë të domosdoshëm për kryerjen e analizave. “Por edhe për shkak të mbingarkesës së Klinikës me pacient ambulantor dhe me qëllim të shpërndarjes së vëllimit të punës”, ka thënë Bislimi.
Gjithashtu, ai ka thënë se praktikat rajonale dhe me gjerë janë të tilla, ku në spitale siç është QKUK, nuk kryhen analiza laboratorike.
“Praktikat rajonale dhe me gjerë na rrëfejnë se në një qendër terciare laboratorike nuk duhet të kërkohet një shërbim laboratorik për një analize e cila mund të kryhet edhe në një qendër primare (Qendër e Mjekësisë Familjare) apo sekondare (Spital Rajonal)”, thotë Bislimi. /Indeksonline/
- Advertisement -

MË TË FUNDIT