Menaxhmenti i Qendrës Klinike Universitare (QKUK), ka vendosur ta krijojë një komision disiplinor për t’i hetuar mamit e Klinikës së Gjinekologjisë, pas rastit të fundit ku Indeksonline raportoi për skandal në këtë klinikë.
Lajmin për Indeksonline e ka konfirmuar zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu . Ai ka sqaruar se komisioni është mbledhur të enjten për të filluar shqyrtimin e rastit dhe rrethanave në fjalë.
Ai nuk ka treguar se kur do të merret vendimi në lidhje me rastin në fjalë, e as nëse do të dënohet dikush, me arsyetimin se “nuk dëshirojnë t’i bëjnë presion Komisionit Disiplinor për marrjen e vendimit në fjalë”.
“Komisioni është mbledhur me qëllim që të shqyrtoj rastin e pacientes Sabile Krasniqi. Ende është herët për të folur për ndëshkimet, pasi që do të konsiderohej si presion mbi vendimin e komisionit disiplinor”, është shprehur Fazliu. /Indeksonline/