Qeveria Rama humb gjyqet me 7 kompani/ Arbitrazhi: Shqipëria duhet të paguajë 445 mln euro

Shteti shqiptar i ka njohur gjyqet që ka humbur në gjykatën e Arbitrazhit.  Deri tani janë 7 kompani që kanë futur Shqipërinë në një borxh të madh I cili kap vlerën e mbi 445 milionë eurove. Kjo shifër mund edhe të rritet pasi ende disa gjyqe ne arbitrazh nuk kanë marrë një vendim të formës së prere.

Shqipëria duhet t’iu paguajë 7 kompanive që kanë pasur dhe kanë aktualisht aktivitet biznesi në Shqipëri, 109 milionë euro, të humbura në Gjykatën e Arbitrazhit. Pjesa më e madhe e borxhit, prej 99.9 milionë eurosh është detyrim ndaj biznesmenit Francesco Becchetti.

Kompanitë që kanë hedhur në gjyq Shqipërinë dhe kanë fituar, janë:

Familja Beccheti kundër shtetit shqiptar;

J & P Avax kundër Ministrisë së Transportit;

SAFA shpk kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;

Valeria s.r.l kundër Ministrisë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;

Anglo-Adriatica Group Limited vs Shqipërisë kundër Ministrisë së Financave;

Porti Karpen HFW LLC kundrejt Shqipërisë;

TIA shpk kundrejt Shqipërisë

Open Data Albania po hulumton mbi detyrimet e Shtetit Shqiptar sipas Vendimeve të Arbitrazhit Ndërkombëtar. Në këtë artikull do të evidentohen detyrimet e njohura nga vetë shteti përmes dokumentit shtetëror Raporti i Mes-Vitit mbi zbatimin e Buxhetit Shtetëror 2020.

Deri në Qershor 2020, Shteti Shqiptar njeh detyrime të mbetura që lidhen me Arbitrazhet Ndërkombëtare në vlerën totale prej 109 485 296 Euro. Detyrimi përbëhet nga Dëmshpërblime që shteti shqiptar duhet tu japë palëve, kryesisht biznese që kanë fituar në Arbitrazh ose kosto shpenzime arbitrazhi. Këto detyrime përveçse janë të formës përfundimtare, edhe janë njohur nga Shteti.

Ndërkohë ka procese të tjera Arbitrazhi që ende nuk kanë marrë formën përfundimtare apo ende nuk janë njohur zyrtarisht nga Shteti ynë. Po njësoj detyrime janë edhe kostot administrative të arbitrazhit apo kamatat e mosshlyerjes së detyrimit menjëherë në Kohë.

Peshën me të madhe ndaj kostos totale të Arbitrazheve, me rreth 91,3% e ka Çështja Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë – Familja Becchetti. Detyrimet për këtë çështje janë në vlerën 99.6 milion Euro Dëmshpërblim i drejtpërdrejtë ndaj Investitorit dhe 0.3 milion Euro kosto administrative të procesit të arbitrazhit. Në llogaritë e tij, Shteti Shqiptar e ka njohur vetëm 99.9 milion Euro. Por Vendimi i Arbitrazhit e ka gjykuar 108 milion euro.

Për cdo vit Vonesë Qeveria Shqiptare ngarkohet me një kamatë që është normë LIBOR plus 3% interes të përbërë, kamatë që e rrit detyrimin çdo vit me disa milion Euro shtesë.  Disa çështje të tjera të hapura në Arbitrazhin Ndërkombëtar potencialisht mund të sjellin kosto shtesë për buxhetin e shtetit nëse Vendimi i Gjykatave Ndërkombëtare të Arbitrazhit bëhet në favor të palës private. Në total detyrime potenciale që mund të materializohen në kosto buxhetore shtesë janë në vlerën 300 milion  Euro.

Nëse këto vendime merren në favor të Bizneseve, kjo do të sillte automatikisht rritjen e Detyrimeve të Shtetit Shqiptar për Vendimet e  Arbitrazhit. Në këtë rast, vlera totale e detyrimeve të Shtetit Shqiptar ndaj Arbitrazheve do të ishte rreth 446 950 959 Euro.