Qeveria po ia vë drynin Aeroportit të Prishtinës (Dokument)

Asnjë aeroplan nuk do të mund të fluturojë apo po aterojë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë financiare për Kontrollin Ajror të aeroportit.
Ndërmarrja, e cila i koordinon të gjitha fluturimet brenda territorit të Kosovës, ka dhënë paralajmërimin e fundit tek Qeveria e Kosovës se për shkak të krizës financiare nuk mund të zhvillojë aktivitetet e saja.
Ndërsa, me ndërprerjen e shërbimeve të Kontrollit Ajror automatikisht mbyllet hapësira ajrore e Kosovës.
Gazeta Fjala ka siguruar një dokument që i është drejtuar Qeverisë së Kosovës nga menaxhmenti i kontrollit ajror me datën 9 mars të këtij viti.
“Nëse nuk ndërmerrni hapa konkret në përputhje me kërkesën tonë për përkrahje të menjëhershme financiare, pasojat do të jenë pamundësia e ofrimit të shërbimeve të navigacionit ajror të Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë dokument të siguruar nga Gazeta Fjala.
Aty shkruan se pa fluturime do të mbesin përveç qytetarët, edhe forcat ushtarake të NATO/KFOR.
“Pamundësia e ofrimit të shërbimeve të navigacionit ajror mund të rezultojë me mosfunksionimin e aviacionit civil dhe ushtarak (NATO/KFOR) në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e firmosur nga Bekim Jashari, kryesues i Bordit dhe Bahri Nuredini, kryeshef ekzekutiv në ANP-Kontrolla Ajrore “Adem Jashari” .
Sipas këtij dokumenti, deri tek kjo gjendje ka ardhur pas refuzimit të Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet kërkesave të vazhdueshme për trajtimin e një varg telasheve që janë bartur në këtë ndërmarrje pas procesit të koncesionimit.
Njoftimi për gjendjen e rënduar financiare të “ANP-Kontrolla Ajrore” i është dërguar Ramadan Sejdiut, drejtor në Njësinë për Menaxhimin e Ndërmarrjeve Publike. Por, njoftimi tanimë ka arritur edhe tek Zyra e Kryeministrit, përkatësisht sekretarit Fitim Krasniqi, ministrit të Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, Ministrit të Infrastrukturës Lutfi Zharku e Ministrit të Financave Avdullah Hoti.
Gazeta Fjala ka provuar të marrë një përgjigje nga përfaqësuesit e Qeverisë të cilëve u është adresuar ky dokument dhe nga zyrtarët e Kontrollit Ajror, por asnjëra palë nuk ka qenë e disponueshme të flasë për këtë.
Janë mbi dhjetë kërkesa të cekura në këtë dokument, të cilave asnjëherë institucionet përgjegjëse nuk i kanë marrë parasysh.
Problemi kryesor që e solli këtë ndërmarrje para kolapsit janë proceset e hapura gjyqësore nga shpronësimi i tokave të cilat tani i shfrytëzon Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në pronësi të kompanisë “Limak”.
“Duhet të theksojmë që çështjet e hapura gjyqësore nga eksprorijmi i tokave pothuajse kanë pamundësuar tërësisht funksionimin e ANP-Kontrolli Ajror “Adem Jashari””, thuhet në dokument.
Bazuar në raportimet e më hershme lidhur me shpronësimet e tokave në këtë pjesë dhe procedurave gjyqësore të zhvilluara, janë rreth 3 milionë euro obligime me të cilat është ngarkuar ANP-Kontrolli Ajror pas koncesionimit.
Në bazë të kontratës për koncesionim me kompanisë Limak dhe Qeverisë së Kosovës asnjë obligim nuk e bartë koncesionuesi por kontrolli ajror, edhe pse këto toka shfrytëzohen nga koncesionuesi./gazetafjala/
- Advertisement -

MË TË FUNDIT