Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e 18-të, të rregullt.
Pika e parë e rendit të ditës që u aprovua nga Qeveria ishte vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit nr. 04/149, përmes të cilit ndryshohet përbërja e Këshillit Ndërministror për Ujëra i cili do të ketë këtë përbërje:
1. Kryeministri i Republikës së Kosovës Kryesues;
2. Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor anëtar;
3. Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal anëtar;
4. Ministër i Financave anëtar;
5. Ministër i Zhvillimit Ekonomik anëtar.
Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe Vendimi Përfundimtar për shpronësimin për interes publik të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i Rrugës Nacionale N2, Prishtinë-Mitrovicë, Segmenti Milloshevë-Vushtrri, Zonat Kadastrale Babimoc dhe Milloshevë, Komuna Obiliq, zonat Kadastrale Stanovc i Epërm (Përronaj) dhe Lumi i Madh, Komuna Vushtrri, rrugës Nacionale N9 Prishtinë-Pejë, Zonat Kadastrale Sllatinë e Madhe dhe Harilaq, Komuna Fushë Kosovë, Zonat Kadastrale Koreticë e Epërme, Komuna Drenas dhe Rrugës “Transiti i Shtimes” Zona Kadastrale Shtime, Komuna Shtime.
Në mbledhjen e sotme u miratua edhe Rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për caktimin e lartësisë së pagesës së shërbimeve dhe kontrolleve zyrtare të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, e cila ka për qëllim ndryshimin dhe plotësimin e Aneksit VI dhe VII, të Rregullores 17/2012 dhe shfuqizimin e Rregullores 19/2014 për ndryshimin e Rregullores 17/2012 për caktimin e lartësisë së pagesës së shërbimeve dhe kontrolleve zyrtare të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Qeveria, me propozim të Ministrisë së Financave aprovoi kërkesën për miratimin e buxhetit për Komunën e Prishtinës pas ri-aprovimit të Buxhetit për vitin 2015 nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.
Edhe Koncept Dokumenti për Kompensimin e Viktimave të Krimit, u miratua nga Qeveria e Kosovës, i cili ka për qëllim krijimin e infrastrukturës së përgjithshme me qëllim të kompensimit të viktimave të krimit.
Gjithashtu, Qeveria mori vendimin për themelimin e Grupit Punues për hartimin e Strategjisë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit, që shpie në Terrorizëm 2015-2020, u miratua nga kabineti qeveritar, i cili do të ketë në përbërje:
1. Këshilltari i Kryeministrit Udhëheqës i Grupit
2. Përfaqësuesi nga MPB Bashkë-Koordinator
3. Zyra për Planifikim Strategjik ZKM Bashkë-Koordinator
4. Përfaqësuesi nga MKRS Anëtarë
5. Përfaqësuesi nga MPMS Anëtarë
6. Përfaqësuesi nga MASHT Anëtarë
7. Përfaqësuesi nga MPJ Anëtarë
8. Përfaqësuesi nga MIE Anëtarë
9. Përfaqësuesi i AKI Anëtarë
10. Përfaqësuesi i (PK) Anëtarë
11. Përfaqësuesi nga (MAPL) Anëtarë
12. Përfaqësuesi nga MF Anëtarë
13. Sekretariati i Këshillit për Siguri ZKM Anëtarë
14. Përfaqësuesi i Zyrës së Presidentit Anëtarë
15. Përfaqësuesi i Kuvendit të Kosovës Anëtarë
16. Komisioni i Pavarur për Medie Anëtarë
17. Përfaqësuesit e Bashkësive Fetare Anëtarë
18. Përfaqësuesit e OJQ-ve relevante Anëtarë
Qeveria e Kosovës poashtu ka miratuar propozim-vendimin për t’i Rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës emërimin e Gjeneralmajor Rrahman Ramës Komandant të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Kabineti Qeveritar aprovoi edhe kërkesën për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal që ka të bëjë me deklarimin e pasurisë. Në këtë pjesë të Kodit Penal, të amendamentohet neni 437, paragrafi 1, ku thuhet pas fjalëve ‘një gjë të tillë’, të shtohen fjalët ‘me qëllim të fshehjes së pasurisë’. Dhe neni 437, paragrafi 2 të Kodit, pas fjalës ‘në deklaratë’, të shtohen fjalët ‘nëse e ka bërë me qëllim të fshehjes së pasurisë’.
Gjithashtu, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë u themelua Grupi Punues për hartimin e Kodit Civil, i cili do të përbëhet nga 25 përfaqësues të fushës.
Gjatë mbledhjes, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka informuar kabinetin qeveritar për vizitën zyrtare në Republikën e Shqipërisë, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Hashim Thaçi dhe Kujtim Shala.
Kryeministri njoftoi për takimet me kryeministrin Rama, me presidentin, kryetarin e Parlamentit, me përfaqësuesit e opozitës dhe vizitën në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Duke e cilësuar shumë përmbajtjesore dhe të suksesshme këtë vizitë, kryeministri bëri të ditur se në takimet e zhvilluara është vlerësuar shumë pozitivisht edhe bashkëpunimi i deritanishëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë.
“Janë vlerësuar poashtu përgatitjet të cilat i kemi bërë dhe po bëjmë për datën 23, në mënyrë që të nënshkruajmë edhe marrëveshje të cilat do ta kompletojnë bashkëpunimin tonë, që ka pasuar pas takimit të dy qeverive në Prizren në vitin e kaluar. Janë theksuar veçmas fushat me interes më të lartë të bashkëpunimit edhe në ekonomi, veçmas në fushën e tregtisë, fushën e politikave doganore, tatimore, të nivelimit të tatimit dyfishtë, në fushën e arsimit, në fushën e kulturës, bashkëpunimi ynë ndërkombëtar edhe koordinimi i agjendës ndërkombëtare së bashku me Qeverinë e Shqipërisë si dhe koordinimi i agjendës së integrimeve evropiane në të cilën është punuar mjaft shumë. Po ashtu është vlerësuar puna dhe përgatitjet që po bëhen në fushën e energjetikës, një fushë shumë e rëndësishme e bashkëpunimit tonë. Jemi të interesuar që këtë bashkëpunim ta thellojmë edhe më tutje, por thellimi i bashkëpunimit natyrisht varet nga puna që ne do të bëjmë si Qeveri, por edhe çdo ministri veç e veç”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e informoi kabinetin qeveritar për vizitën në Austri, për takimet që ka zhvilluar me përfaqësues të shumtë të bizneseve, të cilëve iu është prezantuar Programi Qeverisës dhe janë ftuar të investojnë në Republikën e Kosovës.