Qeveria miratoi propozimi për amendamentimin e Kushtetutës

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e 17-të, të rregullt.
Në mbledhje u miratua Propozimi për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Zëvendëskryeministri i Parë, Hashim Thaçi, para kabinetit qeveritar ka thënë se me këtë amendamentim po përmbushen obligimet që ka marrë Qeveria nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, për themelimin e Gjykatës Speciale.
Amendamentimet e reja përfshijnë ndryshimet që dalin nga përmbushja e obligimeve ndërkombëtare, në lidhje me Raportin e Asamblesë së Përgjithshme dhe të Këshillit të Evropës, Dokumenti 12462, datë 7 janar 2011. Sipas kësaj, Republika e Kosovës mund të themeloj Dhoma të Specializuara, me Zyre të Prokurorit të Specializuar, në kuadër të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Organizimi, funksionimi dhe juridiksioni i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar rregullohet edhe me një ligj të veçantë.
“Është një obligim që e kemi marrë karshi bashkësisë ndërkombëtare edhe me letërkëmbimin e Presidentes së Kosovës me baroneshën Ashton. Ne e kemi vlerësuar, dhe e vlerësojmë edhe sot se është vendim i drejtë kryerja e këtyre obligimeve, në mënyrë që të zbardhet e vërteta rreth pretendimeve të padrejta që iu kanë bërë Kosovës, dhe Kosova ta heq këtë barrë të rëndë nga supet e veta, apo këtë re të zezë që po qëndron mbi shtetin e Kosovës. Prandaj, duke marrë parasysh këto rrethana, dhe obligimet që dalin nga qëndrimi dhe vendimi i Kuvendit të Kosovës, mendojmë që Qeveria e Kosovës të dërgoj në Kryesi të Kuvendit dhe pastaj Kryesia e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka theksuar zëvendëskryeministri Thaçi.
Në mbledhje u miratua edhe Projektligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.
Zëvendëskryeministri Thaçi tha se qëllimi kryesor i këtij projektligji është mbrojtja juridike dhe mbështetja financiare e personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore dhe procedura të ndërlidhura për krimet e pretenduara pranë Dhomave të Specializuara.
Gjatë kësaj mbledhje, kabineti qeveritar ka aprovuar edhe Projektligjin për Ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përmirësuar pajtueshmërinë e rregulloreve tatimore në nivel Ndërkombëtar dhe zbatimin e rregulloreve FATCA.

U miratua edhe Projekt-rregullorja për Kodin e Mirësjelljes në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.

Anëtarët e kabinetit qeveritar miratuan edhe emërimin e anëtarëve të Këshillit Kosovar për Raportim Financiar:
1.         Gent Maloku, Oda Ekonomike e Kosovës,
2.         Liman Asllani, Aleanca Kosovare e Biznesit
3.         Muhamet Aliu, Fakulteti Ekonomik
4.         Gani Geci, Banka Qendrore e Kosovës
5.         Arbër Hoti, Shoqata e Kontabilistëve dhe e Auditorëve të Certifikuar
6.         Lutfije Tërnava, Ministria e Financave
7.         Visar Bytyçi, Oda Ekonomike Amerikane

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar të gjithë mësuesit, arsimtarët, profesorët, dhe punëtorët e arsimit, me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit.
“Urimet tona janë që të kemi një shkollë të mirë, të kemi një mësim të mirë, të arrijmë suksese dhe të bëhemi konkurrentë me të tjerët. E dimë që është një flijim i të gjithë atyre që punojnë në procesin e arsimit, por është një flijim që arrihet me rezultate të mëdha dhe me kënaqësinë tonë që do të kemi gjenerata më të përgatitura dhe më të arsimuara”, ka theksuar kryeministri Mustafa.
Në pikën të ndryshme, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka njoftuar kabinetin qeveritar për pjesëmarrjen në Samitin e Shtëpisë së Bardhë për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry, si dhe për vizitat zyrtare në Itali dhe në Gjermani.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT