Qeveria i kërkon sqarime Viola Von Cramon’it rreth një postimi për Manastirin e Deçanit

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka kërkuar një sqarim nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, e cila në një postim në Twitter e ka futur në një rresht Manstirin e Deçanit dhe monumentet e shkatërruara nga agresioni rus në Ukrainë.

Ai tha se ajo mund ta ketë bërë nga ngutia apo mospasja e informatave të sakta, megjithatë Çeku tha se Cramon duhet të japë një sqarim.

“Ne e kemi parë një publikim nga Viola von Cramon në një takim të saj me zyrtarët e Europa Nostra. Më twitt-in e publikuar të zonjës von Cramon, Manastiri i Deçanit dhe monumentet e shkatërruara nga agresioni rus në Ukrainë futen në një fjali. Ne duam të besojmë se ajo e ka bërë këtë gabim paqëllimshëm, që nuk i ka informatat e sakta dhe që e ka bërë në një mënyrë të ngutshme. Megjithatë ajo duhet të na ofrojë një sqarim për këtë gabim që e ka bërë. E kemi një pyetje për të. A ka tërhequr ndonjë paralele në mes neve dhe Rusisë kur në të njëjtën fjali i ka përfshirë Manastirin e Deçanit dhe monumentet e shkatërruara nga agresioni rus në Ukrainë. Besojmë që e meritojmë një sqarim dhe duhet ta sqarojë a mendon dhe a tërheq paralele mes Kosovës dhe Rusisë në momentin kur këto monumente i fut në të njëjtën fjali”, tha Çeku në konferencë, raporton Gazeta Express.

Von Cramon ditë më parë në Twitter ka shkruar se në takimin që ka pasë me përfaqësuesit oranizatës europiane Europa Nostra ka folur për nevojën për përmirësimin e mbrojtjes së objekteve të rrezikuara. Këtu theks të veçantë i dha Manastirit të Deçanit.

“Takimi i hapur dhe produktiv me sekretaren e përgjithshme të Europa Nostras për nevojën për të përmirësuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të rrezikuar në të gjithë Europën, me fokus të veçantë në Manastirin e Deçaniit dhe trashëgiminë kulturore të shkatërruar në Ukrainë”, kishte shkruar Cramon.

Çeku foli edhe për organizatën Europa Nostra, për të cilën tha se nuk është kredibile dhe se është e ndikuar politikisht nga Serbia.

Madje, ai tha se e kanë gjetur edhe një hipokrizi të kësaj organizate.

“Për ne kjo vizitë vazhdon të jetë e pakuptimtë, e vonuar dhe pa asnjë efekt. Organizata Europa Nostra ka humbur kredibilitetin pasi që i është nënshtruar ndikimit politik të shtetit serb. Në të njëjtën kohë ne kemi konstatuar edhe një hipokrizi të Europa Nostras, sepse vitin e kaluar e ka përfshirë Manastirin e Deçanit pa të drejtë dhe me ndikim politik nga Serbia në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara, ndërsa vitin e kaluar një organizatë e trashëgimisë kulturore e Kosovës, CHVB, ka dërguar një nominim tjetër për këtë listë, ka qenë Kalaja e Novebërdës e nominuar, e dini rastin e saj dhe shkatërrimet që janë bërë në të, por përkundër të gjitha konstatimeve që kompania e Serbisë e angazhuar për punime në Kalanë e Novebërdës ka shkaktuar dëme të pariparueshme në integritetin e kësaj kalaje, Europa Nostra e ka refuzuar nominimin e saj dhe s’e ka futur në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara”.

Çeku tha se përveç e ndikuar nga Serbia, kjo organizatë tashmë i shkel edhe parimet e profesionalizmit dhe objektivitetit dhe refuzon një nominim si Kalaja e Novebërdës.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT