Qeveria hedh poshtë lajmet se Kosova ka refuzuar projektin amerikan për gazinpërçues

Gjatë ditës së sotshme në media ka qarkulluar një lajm se Qeveria e Kosovës ka refuzuar projektin amerikan për gazinpërçues.

Në lidhje me këto lajme, Indeksonline ka kontaktuar me Zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziu i cili ka hedhur poshtë këto lajme.

“Jo, nuk është e vërtetë. Nuk ka asgjë të re që nga konferenca për media të cilën e ka mbajtë sot Ministrja Rizvanolli ku i ka sqaruar të gjitha detajet rreth çështjes”, u shprehë Kryeziu.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot ka mbajtur një konferencë për media ku ka sqaruar se ky plan nuk e sjell gazin amerikan në Kosovë, por vetëm e ndërton infrastrukturën për gazin natyror.

“Po flitet për gazin amerikan, jemi duke folur për ndërtim të infrastrukturës dhe në këtë rast është opsioni i ndërtimit të gazsjellësit. Nuk jemi duke folur për gaz amerikan apo ndonjë shteti por jemi duke folur për mundësinë e ndërtimit të infrastrukturës për sjelljen e gazit nga Greqia, nëpërmjet Maqedonisë së Veriut”.

Rizvanolli tha se Qeveria e Kosovës nuk ka marrë ende vendim pasi nuk dihet kostoja totale e projektit, edhe pse Korporata Amerikane e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) tashmë ka kryer studim fizibiliteti dhe ka ndarë 200 milionë dollarë.

“Strategjia e energjisë, në infrastrukturë të gazit, siç e kemi thënë prej fillimit të mandatit, qëllimi ynë është që vendimet qe i marrim në energji të jenë mirë të informuara dhe në këtë sektor, konsiderojmë që është e rëndësishme t’i kemi informata më të sakta”, u shprehë ajo. /Indeksonline/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT