Qeveria bëhet gati ta dërgoj Asociacionin në Kushtetuese

Zyra e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, po përgatitet të dërgojë së shpejti në Gjykatën Kushtetuese, marrëveshjen e nënshkruar me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Valon Murtezaj, këshilltar për Marrëdhëniet me Jashtë i kryeministrit Isa Mustafa, ka shpjeguar për Top Channel se, arsyeja përse do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese është për t’u siguruar nga organi më i lartë kushtetues, që marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën e vendit.
“Të gjitha marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën. Megjithatë, ajo çfarë mbetet tani është që të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për një vërtetim, apo për një mendim të mëtejshëm. Kjo do të mundësohet sapo të bëhet gati dekreti i qeverisë fillimisht, apo vendimi dhe udhëzimi administrativ, e të dërgohet bashkë me parimet e marrëveshjeve”, tha Valon Murtezaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa.
Murtezaj, i cili ka qenë pjesë e delegacionit kosovar, kur është nënshkruar marrëveshja e fundit në Bruksel, tha se ka pasur luftë të madhe politike për kompetencat e Asociacionit.
“Thelbi i marrëveshjes është, që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë një nivel i tretë i pushtetit. Kjo ka qenë frika jonë më e madhe, si dhe lufta më e madhe që është bërë në Bruksel”, tha Valon Murtezaj, këshilltari i Mustafës.
Marrëveshja mes kryeministrit kosovar dhe atij serb, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk është përmbyllur ende, pasi tani mbetet të zhvillohen bisedime të reja në nivel ekspertësh për përmbajtjen e statutit të Asociacionit.
“Po, sigurisht do të formohet një grup pune me ekspertë të të gjitha fushave, ku përfshihet edhe fakti që Asociacioni të ketë rol. Mirëpo këto janë kryesisht aspekte teknike e profesionale”, tha Valon Murtezaj, këshilltari i kryeministrit.
Murtezaj bëri gjithashtu të ditur se, në hartimin e statutit do të kenë role si pala kosovare, ajo serbe por dhe përfaqësues të Brukselit, si ndërmjetës të marrëveshjes. Në fund, ai deklaroi se, edhe drafti final i statutit të Asociacionit do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT