Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se me të gjitha institucionet dhe kapacitetet e veta po punon maksimalisht për t’u ofruar kujdesin dhe trajtimin e duhur bashkatdhetarëve tanë të aksidentuar në Kroaci.

Insititucionet e Kosovës në koordinim me institucionet e Kroacisë, kanë organizuar kthimin e bashkqytetarëve tanë në Kosovë, gjendja shëndetësore e të cilëve është stabile.

“Ata do të vijnë sonte me transport ajror, pas orës 22:00”, njofton qeveria, transmeton Gazeta Express.

“Qeveria do të organizojë transportin dhe përcjelljen e bashkqytetarëve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” deri te familjet, në vendbanimet e tyre.

Ministria e Punëve të Brendshme është në kontakt të vazhdueshëm me familjet e viktimave lidhur me procedurat e kthimit në Kosovë të trupave të personave që humbën jetën në aksidentin tragjik të së dielës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Të dielën, dhjetë persona me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe 45 u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod.

Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë. /Gazeta Express/