U mbajt mbledhje komemorative për nderë të veprës së shkrimtarit dhe poetit Qerim Ujkani, i cili në moshën 78 vjeçare u nda nga jeta.
Në një mbledhje komemorative për nderë të veprës së shkrimtarit dhe poetit Qerim Ujkani, i cili në moshën 78 vjeçare u nda nga jeta. Nga krijues e studiues letrar u tha se vdekja e tij do të lë gjurmë të thella në letërsinë shqiptare.
Flora Brovina në cilësinë e kryetares së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës ka thënë se jetës së letrave në Kosovës, po i largohen çdo ditë shkrimtar të mëdhenj si Qerim Ujkani.
“Qerim Ujkani prej sot nuk do të jetë në mesin tonë dhe plejada e shkrimtarëve të parë po zvogëlohet dhe kjo është një ndjenjë shumë e keqe kur po ndahemi nga i nderuari Qerim Ujkani, i cili mund të krijonte dhe të vepronte edhe një kohë. Megjithatë, ai do të ndodhet në mesin tonë me veprat e veta të cilat frymojnë gjeneratë pas gjenerate”, ka thënë Brovina.
Ndërsa, kritiku letrar Hysni Hoxha, i cili ishte edhe mik i ngushtë i Ujkanit foli për miqësinë që kishte me të ndjerin Ujkani, duke mos i përmbajtur lotët dhe dhimbjen që ndjente për humbjen e mikut të tij.
“U nda prej nesh fizikisht poeti Qerim Ujkani, shoku dhe miku im besnik, është vështirë të kesh mik besnik, miku besnik është i afërt si ata familjarët. Miku besnik dhe në kohë të vështira ta zgjatë dorën. Ky ka qenë shoku im, miku im. Kemi punuar 20 vjet në Radio Prishtinë, përpara kemi qenë studentë, para 50 vjetësh në Beograd, kemi qenë gjithmonë shokë, gjithmonë të pandarë. Një jetë të tërë e kemi kaluar bashkë. Poezia ka qenë trajta e ekzistencës së tij. Gjithmonë kemi biseduar për letërsinë, gjithmonë kemi biseduar për çështjet kombëtare”, ka thënë Hoxha.
Hoxha më tej tha se Ujkanin e preokuponte vazhdimisht çështja kombëtare, për çka edhe në shumë vepra të tij trajtim të veçantë zë Kosova dhe çështja e çlirimit të saj.
Ndërsa, poeti Agim Vinca e vlerësoi lartë veprën e tij, duke thënë se nuk donte të shihte në gjendjen çfarë ishte në ditët e muajt e fundit të jetës Ujkanin, pasi që donte ta ruante në kujtesë imazhin e tij ashtu siç e kishte njohur në ditët më të mira të jetës së tij.
“Ka kaluar më se një gjysmë shekull nga koha kur doli në skenë Qerim Ujkani si krijues letrar, si poet në radhë të parë. Përmbledhjet e para “Hullinat”, “Përralla e votres”dhe “ Deti” ose “Poema e shqetësume” , i botoi në fillim të viteve 60’të. Por profilin e tij poetik, individualitetin, mund të thuhet që e formoi me “Pagëzime” në 1969 dhe “Pasthirrmë” në 1974, për të arritur në pikat më të larta artistike në vëllimet “ Lartësi Toke”, “ Hije e këputur” dhe “ Përball herëve”,”, ka thënë Vinca.
Në këtë mbledhje komemorative foli edhe djali i vogël i të ndjerit Ujkani, i cili falënderoi të pranishmit që ishin me familjen e tyre në këto ditë të vështira.
Qerim Ujkani lindi në vitin 1937 në Pejë ku kreu shkollën fillore dhe të mesme, pastaj vazhdoi studimet në Beograd në Fakultetin Juridik. Ishte redaktor i emisioneve të letërsisë në Radio Prishtinë. Ai shkroi mbi 20 vepra letrare.
- Advertisement -