Pushimet në Shqipëri me çmime të lira të telefonisë dhe internetit

PTK dhe Albtelekom/Eagle Mobile me seli në Tiranë, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi, me qëllim ofrimin e shërbimeve kualitative me çmime sa më të lira për qytetarët e dy vendeve, që udhëtojnë apo kanë vendosur të pushojnë në vendet respektive.
Kjo nismë pritet të bëhet realitet me fillimin e sezonit veror, kohë dhe kur edhe do të hiqet kontrolli kufitar mes dy vendeve, gjë që do ta shtojë edhe në tepër fluksin e qarkullimit dhe nevojat për të përdorur dhe shfrytëzuar shërbimet e telefonisë dhe internetit të shpejtë.
Pushuesit nga Kosova, numrin e VALA-s do të mund ta përdorin edhe në Shqipëri, duke shfrytëzuar shërbimet me të njëjtat çmime.
“Qëllimi kryesor i këtij memorandumi të mirëkuptimit është që ne gjatë këtij sezoni veror të jemi gati apo të jemi të gatshëm që të gjithë pushuesve tanë, të cilët do ta shfrytëzojnë bregdetin e shqiptar për pushimet e tyre verore si dhe të gjithë ata që vijnë nga diaspora, të mos brengosen, të mos kenë shqetësime edhe të çmimeve të telefonisë mobile apo në këtë rast edhe të shërbimeve të internetit. Me një numër të cilin do e marrin tek VALA, këtu tek ne me të njëjtat shpenzime do ta kenë mundësinë që të flasin apo edhe të përfitojnë shërbimet e internetit në Republikën e Shqipërisë qofshin ato të telefonisë mobile sa i përket romingut, por gjithashtu edhe të shërbimeve të internetit”, deklaroi drejtori menaxhues i PTK-së, Agron Mustafa.
Nga ana e tij, drejtori i Albtelekom/Eagle Mobile, Erkan Tabak bëri të ditur se kjo marrëveshje ka impakt edhë më të madh për vetë faktin se edhe dy popujt e dy vendeve janë të njëjtë dhe se kanë vendosur që t’i heqin kufijtë artificial mes dy kompanive.
“Kjo verë do të jetë krejt e ndryshme për qytetarët e dy vendeve tona në fushën e telekomunikacionit. Ajo që ne kemi bërë së bashku është që përdoruesit e VALA-s dhe përdoruesit e Eagle Mobile do të mund t’i përdorin numrat e tyre në dy vendet tona si të jenë në shtëpinë e tyre dhe ne besojmë se ky bashkëpunim do të përfshijë shërbimet e zërit, pra, të telefonisë fikse, por edhe të shërbimeve të internetit dhe do të përpiqemi që këto shërbime në telefoninë celulare ne vetë t’i sjellim para fillimit të sezonit turistik të këtij viti”, tha Tabak.
Marrëveshja synon veçmas përdorimin e internetit 3G dhe 4G nga pushuesit e Kosovës, të cilët deri më tani janë tarifuar me çmime të shtrenjta romingu.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT