Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës po vazhdojnë ta kundërshtojnë Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, që hyn në fuqi në dhjetor të këtij viti, e me të cilin parashihet ulje e pagave të tyre.

Ata kërkojnë largimin e tyre nga ky ligj, duke thënë se nuk mund të trajtohen njësoj si shërbyesit civilë.

Nëse nuk plotësohet kërkesa e tyre, punëtorët edhe Sindikata e Re e KEK-ut kërcënojnë se do ta lënë vendin në terr, raporton KTV.

Në mbështetje, punëtorëve u ka dalë edhe menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje publike, që thotë se punëtorët kryejnë punë të madhe e të vështirë dhe meritojnë paga të dinjitetshme.

Drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi, shpreson se institucionet do të marrin hapa konkretë për ndryshimin e ligjit ose, në të kundërtën, thotë se do t’u bashkohet punëtorëve deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Sindikata e Re e KEK-ut tashmë ka deponuar ankesë tek institucioni Avokati i Popullit, i cili është duke e shqyrtuar atë para se ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik është miratuar në shkurt të këtij viti, e që atëherë ky ligj është kundërshtuar nga punëtorët e KEK-ut.