Eden Hazard dhe Harry Kane u prinë nominimeve për Lojtarin e Vitit në Angli për sivjet.
Dyshja e ekipeve londineze do të jenë në garë për këtë çmim së bashku me Diego Costan, Alexis Sanchezin, David de Gean dhe Philippe Coutinhon.
Hazardi është duke kaluar nëpër një formë të mirë sivjet, duke i ndihmuar Chelseat që t’i prijë garës për titull kurse Costa ka realizuar 20 gola në sezonin e tij debutues në Angli.
Për sulmuesin e Tottenhamit, Kane, nominimi i tij është një tjetër arritje për një 21-vjeçar, transmeton Koha.net.
Ai deri më tani ka realizuar 27 gola në të gjitha garat për Spursat dhe forma e tij i ndihmoi që të ftohej për herë të parë në përfaqësuesen angleze për të cilën realizoi edhe golin debutues.
Si Costa, Sanchezi është duke kaluar në një formë të mirë në sezonin e tij të parë në Angli me Arsenalin.
Kiliani ka përforcuar sulmin e Arsenalit dhe deri më tani ka realizuar 20 gola.
Manchester United duket se do të sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve dhe për këtë më meritori është portieri De Gea që sivjet ka bërë disa pritje heroike.
Nominimet mbyllen me anësorin e Liverpoolit, Coutinhon. Braziliani ishte më meritori për serinë pa humbje nga dhjetori deri në mars për Liverpoolin dhe synon që me fanellën e kuqe ta fitojë Kupën FA.