Janë 24 mijë mësimdhënës në Kosovë, por vetëm 7 mijë prej tyre e kanë marrë vaksinën anti-Covid. Ndonëse ka mbetur rreth një muaj deri në fillimin e vitit të ri shkollor 2021/2022, interesimi i punonjësve të arsimit për t’u vaksinuar mbetet shumë i ulët.

Nga Ministria e Arsimit kanë deklaruar se deri më tani janë vaksinuar 7 mijë mësimdhënës.

“MASHTI është në konsultime të vazhdueshme me Ministrinë e Shëndetësisë dhe në bazë të informacioneve që i kemi marrë, deri në fund të javës së kaluar kanë qenë rreth 7 mijë mësimdhënës të vaksinuar”, thuhet në përgjigjet e MASHTI-it.

Edona Maliqaj, këshilltare për medie e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit, i ka thënë Infokus-it se presin që deri në fillim të vitit të ri shkollor punonjësit e arsimit të jenë të vaksinuar.

“Fatmirësisht ka vaksina të mjaftueshme të cilat janë të aprovuara dhe sigurta andaj presim që deri në fillim të vitit të ri shkollor 2021-2022 mësimdhënësit të jenë të vaksinuar me të dy dozat e vaksinës kundër Covid-19. MASHTI është duke planifikuar që viti i ri shkollor të fillojë me pjesëmarrje të plotë fizike”, ka thënë Maliqaj.

E më këtë shifër të ulët të mësimdhënësve të vaksinuar është i shqetësuar edhe kryetari i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit, Rrahman Jasharaj.

Ai shprehet se kanë pritur që punëtoret e arsimit të jenë më të interesuar për të marrë vaksinën anti-Covid.

“Të ju them të drejtën është shumë shqetësuese edhe për ne kjo përqindje kaq e vogël, aq më tepër kur dihet që ne, në emër të tyre moti kemi pasur kërkesa dhe takime me ministrin Vitia dhe me ministren Nagavci, duke kërkuar që punëtoret e arsimit të kenë prioritet në vaksinim. Ne kemi pritur që mësimdhënësit dhe punëtorët tjerë do të paraqiten të vaksinohen në tërësi me dy doza, me qëllimin e vetëm që të jenë sa më të mbrojtur dhe të kenë një rrjedhë të mbarë të fillimit të vitit shkollor”, ka deklaruar Jasharaj.

Edhe pse MASHTI pret që deri në fillim të vitit shkollor të gjithë mësimdhënësit të marrin dy dozat e vaksinës një gjë e tillë sipas SBASHK-ut është e pamundur.

“Duke pas parasysh se vetëm 30 për qind janë vaksinuar, kam frikë se muaji i ardhshëm nuk do të jetë i mjaftueshëm për t’u vaksinuar. Mirëpo nëse fillojnë menjëherë të vaksinohen, deri me 15 shtator do të arrihet të vaksinohen edhe me dozën e dytë”, ka thënë Jashari.

Si arsye të mosvaksinimit, ai e sheh se mësimdhënësit mund të jenë në pushime dhe jashtë Kosovës.