Protestojnë punëtorët e “Ferronikelit”, mbetën pa punë nga tetori

Punëtorët e “Ferronikelit” kanë protestuar të enjten para ndërtesës së Qeverisë, përcjell Shqip.com.

Këto protesta kanë ardhur pasi që  është ndaluar prodhimi në këtë ndërmarrje si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë, gjë që ka bërë që ata të humbin vendin e tyre të punës.

Ata kanë punuar deri më 8 tetor, ku për këtë muaj kanë marrë 50 për qind të pagës, kurse menaxhmenti i kompanisë “Ferronikeli” ka thënë se për nëntor ata nuk do të paguhen.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Ferronikelit, Fehmi Nika, ka treguar arsyet pse kanë dalur të protesojnë.

“Sa i përket çështjes së ngritjes së çmimit prej vitit të ri e këndej ka filluar kjo. Kemi mbijetuar derisa ka arritur në këtë limit. 130 megavat kemi mbijetuar, por kur ka shkuar 160 e 270 nuk kemi pasur mundësi me operu, është detyruar të ndalet prodhimi e punëtorët të shkojnë në shtëpi. Çështja është se punëtorët nuk kanë të ardhura për të mbijetuar. Janë në kredi.

Kështu që menaxhmenti nuk ka siguruar më veç për tetor. Në tetor nuk kemi dalë në punë pas 8 tetorit. Kemi marrë 50 për qind të pagës. E për nëntor sipas menaxhmentit nuk do të ketë pagesë. Për këtë arsye iu kemi drejtuar Qeverisë që të na bëjë zgjidhje. Zgjidhjen e bën veç Qeveria askush tjetër. Na si sindikatë e klasë punëtore, i kemi mekanizmat sindikal që i ndërmarrim. Ka mekanizma sindikal, presione të ndryshme deri te radikalizimi i punëtorëve”, tha ai./SHQIP.com