Propozohet krijimi i korridoreve për të larguar civilët nga Mosuli

Në deklaratën e bërë nga Zyra për Koordinim të Ndihmave Humanitare pranë Kombeve të Bashkuara (OCHA) u tha se është vërejtur rritja e numrit të vdekjeve të civilëve.

Me qëllim të parandalimit të humbjeve të jetëve të civilëve në luftimet në Mosull, Organizata e Kombeve të Bashkuara i bëri thirrje forcave irakiane për të krijuar korridore të sigurisë për largimin e civilëve nga qyteti.

Në deklaratën me shkrim të bërë nga Zyra për Koordinim të Ndihmave Humanitare pranë Kombeve të Bashkuara (OCHA) u tha se banorët e zonës lindore të afërt me frontin e luftimeve janë nën rrezik të madh dhe se është vërejtur rritje në numrin e civilëve të vrarë për shkak të goditjeve me mortaja dhe luftimeve në këtë zonë.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se ndihmat e dërguara për afërsisht 1 milionë persona që jetojnë në zonat nën kontrollin e organizatës terroriste DAESH do të mund të ndalen për shkak të luftimeve në Mosull.

Tërhiqet vëmendja se ndihmat në ushqim dhe ujë për banorët e Mosullit kanë filluar të zvogëlohen dhe se nga qyteti raportohet për zvogëlimin e sasisë së ushqimit.

Në kampin e refugjatëve Hazir, ku ndodhet pjesa më e madhe e të ikurve nga luftimet në Mosull, janë strehuar 8 mijë persona, ndërsa në kampin Hasan Sham kanë mbetur 24 mijë persona.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se për shkak të luftimeve në Mosull, ku jetojnë 1,5 milionë banorë, nga qyteti do të mund të largohen 1 milionë persona.

Forcat irakiane të sigurisë, forcat peshmerge dhe Rojet e Ninevës, pjesa më e madhe e të cilëve janë trajnuar nga ushtarët turq në kampin e trajnimit në Bashika, më 17 tetor kanë filluar operacionin për spastrimin e Mosullit nga organizata terroriste DAESH.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT