Një seancë dëgjimore do të mbahet sot në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-së, ku do të marrin pjesë edhe ekspertët për Ballkanin Perëndimor.

Ata do t’i japin rekomandime administratës së ardhshme, të udhëhequr nga Joe Biden, mbi qëndrimet që duhet të mbajnë ndaj rajonit tonë dhe Kosovës po ashtu.

Ekspertët, përfshirë ish sekretaren e shtetit, Madeleine Albright, profesorin e Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer dhe analistin Janusz, do t’i japin rekomandime administratës së re se si të veprojë më tutje në Ballkan.

Takimi do të drejtohet nga kryetari i Komitetit, mbështetësi i madh i Kosovës, kongresmeni Eliot Engel. Kujtojmë se presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara do ta marrë detyrën në janar.

Siç zbulon gazeta boshnjake, “Avaz“, në adresimin e tij, Serwer do t’i bëjë thirrje administratës së ardhshme të SHBA-së që të angazhohet më fort për njohjen e plotë të shtetësisë së Kosovës nga Serbia e Bosnja, si dhe për parandalimin e shkëputjes së Republika Srpskas.

Serweri thuhet se do ta shpreh qëndrimin e tij se ende ka probleme midis Serbisë dhe Kosovës, si dhe brenda Bosnjes, ku Serbia është gjithashtu faktor.

“Gjithçka që sugjerova do të jetë më e lehtë nëse Serbia ndihmon. Nëse Vuçiq vazhdon të preferojë autokracinë dhe rreshtimin me Rusinë dhe Kinën, evropianët dhe amerikanët do të duhet të gjejnë mundësi për të shpejtuar ditën kur Serbia do të angazhohet për demokraci të vërtetë në shtëpi dhe marrëdhënie më të mira me fqinjët” thuhet, ndër të tjera, në fjalimin e Serwer, raporton “Avaz”.

“Qëllimi kryesor amerikan i dialogut është njohja reciproke dhe shkëmbimi i ambasadorëve. Presidenti Biden dhe Kancelarja Angela Merkel duhet ta shpallin në mënyrë të qartë këtë qëllim dhe t’u bëjnë presion anëtarëve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën për të deklaruar se do ta njohin Kosovën më së voni kur Serbia ta ketë bërë të njëjtën gjë.

Anëtarësimi në Kombet e Bashkuara do të kërkojë që amerikanët ta bindin Rusinë dhe Kinën që të mos bëjnë veto”, pritet të deklarojë Serwer.

Në fjalimin e tij, ai do të deklarojë se Dejtoni sot u shërben interesave të “baronëve grabitës etnikë”, nga të cilët “njëri po armatos burrin e tij shtetëror për shkëputje, tjetri po e inkurajon atë dhe i treti ankohet”.

“Shtetet e Bashkuara duhet t’i bëjnë presion evropianëve për të sanksionuar ata që mbështesin pavarësinë e Republika Srpskas dhe për të forcuar dhe lëvizur trupat e tyre, me mbështetjen e dukshme të SHBA-së, në qytetin verilindor të Brcko për ta bllokuar shkëputjen”. Ky thuhet se do të jetë qëndrimi i Serwer.