Pronari i restorantit “Steak House”, Genc Sopa, është personi që ka pësuar shkallën më të lartë të lëndimit, nga shpërthimi i bombolës së gazit që ndodhi dy ditë më parë në Ferizaj.

E lëndime të rënda trupore ka pësuar edhe një 20-vjeçare. Për të dy, është arritur marrëveshja që të vazhdohet trajtimi mjekësor në Turqi.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, tha se dy nga të lënduarit tashmë kanë mbërritur në klinikat e Turqisë, ndërsa dërgimi i dy të tjerëve pritet të bëhet shumë shpejt.

“Po sot janë transportu dy nga katër të lënduarit që do të trajtohen në Turqi. Po besoj që janë në klinikat në Turqi tashmë. Do t’i marrin edhe dy të tjerë, në total katër pacientë do të transportohen për shërim, ata me shkallën më të lartë të lëndimit”, tha Aliu për Express.

Tutje, Aliu tha se pronari i lokalit “Steak House”, aty ku ndodhi shpërthimi ka shkallën më të lartë të lëndimit.

“Njëri prej tyre është pronari i lokalit, i cili ka shkallën më të lartë të lëndimit, po ashtu edhe një vajzë rreth 20-vjeçare”, tha ai.

Tutje, kryetari i uroji shërim të shpejt gjithë të lënduarve.

Shpërthimi i papritur i bombolës së gazit që përmbante 25 litra, e vendosur në kuzhinën e restorantit “Steak House” në Ferizaj, ka lënë 44 persona të lënduar si dhe ka shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Zjarri i shkaktuar i detyroi njerëzit që për një moment të dilnin nga aty, duke lënë mbi tavolinë telefonat, xhaketat e gjësendet e tjera. Punëtori i lokalit ku ndodhi tërmeti nuk e njohu shefin për shkak të lëndimeve të mëdha që kishte pësuar ai, ndërsa ata përreth menduan se ndodhi tërmet.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha se rastin e kanë cilësuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar bashkë me Forenzikën dhe Njësinë Rajonale të Hetimeve.