Prokurorja që theu mitin e komandantëve të “paprekshëm”

Prokurorja Speciale, Drita Hajdari është duke hetuar vrasjen e dy civilëve shqiptarë më 2 tetor 1998 në rajonin e Malishevës. Vrasjen e tyre e ka kryer UÇK-ja. Përgjegjësinë e ka marrë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Pakkush ka besuar në të kaluarën se një prokuror shqiptar do të guxojë t’i ndjek penalisht për krime lufte, komandantët më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aq më pak një prokurore.

Por, Drita Hajdari po e bënë një gjë të tillë.

Ajo tashmë ka thyer mitin e komandantëve të paprekshëm nga prokurorët vendës duke hapur një rast të krimeve të luftës që përfshinë gjithë kreun e UÇK-së.

Prokurorja Speciale, Drita Hajdari është duke hetuar vrasjen e dy civilëve shqiptarë më 2 tetor 1998 në rajonin e Malishevës. Vrasjen e tyre e ka kryer UÇK-ja. Përgjegjësinë e ka marrë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Insajderi ka mësuar se lista e të dyshuarve për këto dy vrasje të kualifikuara si krime lufte, është mbi 20 eprorë e ushtarë të UÇK-së.

Njëri prej të dyshuarve kryesor është Fatmir Limaj, ish-komandant i Brigadës 121. Vrasja ka ndodhur nën përgjegjësinë e kësaj brigade.

Mirëpo, përgjegjësinë për këtë vrasje, Limaj ia ka hedhur Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së bazuar në në komunikatën që merrte përgjegjësinë.

Ndonëse, nuk ka një dokument apo dëshmi të saktë se nga kush përbëhej shtabi në atë kohë, protagonistët kanë thënë se struktura kryesore e këtij shtabi përbëhej prej komandantit të përgjithshëm – Azem Syla, zëvendëskomandanti – Sokol Bashota, zëvendëskomandantit tjetër që ishte edhe zëdhënës – Jakup Krasniqi, drejtorit politik – Hashim Thaçi dhe Inspektorit të përgjithshëm – Rexhep Selimi.

Prokurorja Drita Hajdari është caktuar në Departamentin për krime lufte në Prokurorinë Speciale. Këtë përgjegjësi e ka marrë vullnetarisht pas dështimit për disa muaj për t’i zgjedhur tre prokurorë në kuadër të këtij departamenti.

Ajo tashmë ka marrë përgjegjësinë për hetimin e krimeve që deri tash kanë qenë kompetencë e rezervuar e Gjykatës së Hagës, UNMIK-ut dhe së fundi EULEX-it.

Me këto raste janë marrë vetëm gjyqtarët vendës të caktuar në trupe gjykuese të udhëhequra nga gjyqtarë ndërkombëtarë. Jo rrallë herë janë sulmuar e stigmatizuar këta gjyqtarë për shkak të pjesëmarrjes në gjykime të eprorëve të UÇK-së.

Prokurorja Hajdari kishte ndjekur penalisht ish-ministrat Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri. Të dy janë shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Ajo ka ngritur aktakuzë edhe për ndërtimet e egra dhe degradimin e Prishtinës kundër dhjetë inspektorëve komunalë.

Aktualisht është duke akuzuar për terrorizëm Slobodan Gavriqin – shtetas i Serbisë. Ai ishte zënë me 17 kilogramë eksploziv në Prishtinë.

Një rast tjetër i madh i terrorizmit është duke u gjykuar – ai i terrorizmit që lidhet me liqenin e Badocit. Prokurore e rastit është Drita Hajdari.

Ndërkohë, nën hetim e ka edhe rastin e Salih Mekajt, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit, i dyshuar për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit. /Insajderi.com

- Advertisement -

MË TË FUNDIT