Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria Themelore ka kërkuar paraburgim për të arrestuarit në rastin e patentë shoferëve.

Të arrestuarve për rastin e patentë shoferëve, Prokuroria Themelore, i ka kërkuar Gjykatës Themelore të Prishtinës që të vendos masën e paraburgimit.

Lajmi.net, ka siguruar kërkesën e Prokurorisë që kërkon paraburgimin e personave për rastin e patentë shoferëve.

Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se ka dëshmi të video-incizimeve, dhe përgjime telefonike, që dëshmojnë për dallavere me patentë shofer.

Në kërkesën e Prokurorit të kësaj çështje, Ilaz Beqiri thuhet se: “Për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit, Fizil Krasniqi, Naser Lluhaliu, Filloreta Ajvazi, Fejzullah Ejupi, Flora Ferizi, Adem Binakaj, Leorat Shehu, Agim Restelica, Flamr Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Shivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti dhe Magbule Mehmeti, në vazhdimësi e në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri Avdush e Premtim Topalli, Shkelqim Statovci, Haki Jashari, Liljana Boxhaniq, Ava Kurteshi dhe Burim Jashari, kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje e në vazhdimësi “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat nga neni 309 paragrafi 1 lidhur me nenit 31 dhe 77 të KPRK-së, ashtu siç është parashkruar në dispozitat për Aktvendimin e fillimit të hetimeve”, thuhet ndër të tjera në kërkesën që ka siguruar lajmi.net.

Prokurori Ilaz Beqiri, ka thënë se janë përmbushur të gjitha kërkesat për paraburgim pasi që janë siguruar dëshmi të mjaftueshme.

“Kushtet ligjore të parapara me nenin 187 paragrafi 1 janë përmbushur pasi që tanimë ekziston dyshimi mbështetës në provat të cilat janë bashkangjitur shkresave të lëndës si Raportet e abuzimit të masave të fshehta Teknike të Vëzhgimit dhe Hetimit dhe atë Raportet të përgjimit të bisedave telefonike, monitorimi i fshehtë i bisedave në vendet publike, video-incizimet si dhe masën e simulimit të veprës së korrupsionit”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Sipas prokurorit, Beqiri, ekziston dyshimi për të besuar se nëse të pandehurit gjenden në liri do të mund të ikin me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

“Paraburgimi të përcaktohet edhe për shkak se, nëse të pandehurit gjenden në liri, të njëjtit mund të fshehin, ndryshojnë apo do t’i falsifikojnë provat duke ndikuar në dëshmitarë të cilët ende nuk janë dëgjuar nga Policia e Prokuroria si dhe në bashkëkryerës”, thuhet më tej në kërkesë.

Po ashtu, prokurori Beqiri në kërkesën e tij, ka thënë se paraburgimi i të pandehurve duhet të bëhet, pasi që me veprime të tilla, Kosova nuk po mund të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

“Paraburgimi të caktohet edhe për shkak të peshës së veprave penale, mënyrës dhe rrethanave në të cilat janë kryer veprat penale dhe duke pasur parasysh karakteristikat personale të të pandehurve si dhe faktin se veprat penale të kësaj natyre janë bërë dukuri e shpeshtë në territorin e Republikës së Kosovës dhe me këto veprime është duke u penguar procesi i inkuadrimit të Shtetit tonë në Organizatat Ndërkombëtare”, thuhet më tej në kërkesën e siguruar nga lajmi.net.

Prokurori i shtetit, Ilaz Beqiri, ka bërë të ditur se, të pandehurit duhet të paraburgosen pasi që sipas tij, në të kundërtën nuk do të arrihet që të sigurohet prania e tyre.

“Andaj me qëllim të zhvillimit të rregullt dhe të pa pengesë të procedurës penale për këtë çështje penale juridike është e nevojshme që të pandehurve t’iu caktohet masa e paraburgimi pasi që me asnjë masë tjetër alternative nuk do të arrihet që të sigurohet prania e tyre gjatë zhvillimit të procedurës për këtë çështje penalo-juridike dhe procedura të zhvillohet pa pengesa”, thuhet në vendimin e prokurorit, Ilaz Beqiri.

Më poshtë ju sjellim kërkesën e plotë të Prokurorisë Themelore drejtuar Gjykatës Themelore – Departamentit për Krime të Rënda.