Prokuroria: I dyshuari për vrasjen në Mitrovicë ishte me një zyrtar policor – nuk është kryerësi i vrasjes

Prokuroria Themelore e Mitrovicës lidhur me vrasjen e rëndë në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë ka bërë të ditur se i dyshuari ishte me një zyrtar policor jashtë detyrës, i cili nuk është kryerësi i vrasjes, shkruan IndeksOnline.

Sipas njoftimit, sot një person ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur, njëri prej të cilëve kalimtar i rastit.

“Prokuroria Themelore e Mitrovicës njofton opinionin se sot rreth orës 11.30 si pasojë e një konflikti të çastit në Tregun e Gjelbërt në Mitrovicë, një person ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur, njëri prej të cilëve kalimtar i rastit.

I dyshuari për këtë rast është arrestuar nga policia dhe ndaluar me vendim të prokurorit.

Të plagosurit janë dërguar për trajtim të mëtejmë në Spitalin e Mitrovicës, ndërkaq trupi i të vrarit me urdhër të prokurorit është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Prokuroria njofton opinionin se me të dyshuarin ka qenë edhe një zyrtar policor jashtë detyrës, por sipas informacioneve të para i njëjti nuk është kryerësi i vrasjes.

Rasti është kualifikuar “Vrasje e rëndë”, dhe është duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit në koordinim me Njësitin e Hetimeve Rajonale të Policisë në Mitrovicë”, thuhet në njoftim./IndeksOnline/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT