Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi priti sot në një takim kryetarin e Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë në mbarë vendin, e në veçanti në këtë komunë.
Me këtë rast, ministri Krasniqi, e ka njoftuar kryetarin më hollësisht lidhur me Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2015, përmes të cilit ai tha se do të gjejnë mbështetje edhe fermerët e kësaj komune, të cilët arrijnë t’i plotësojnë kriteret e përcaktuara në thirrjet për aplikim, të cilat vazhdojnë të jenë të hapura deri më 10 prill të këtij viti.
Po ashtu, ministri e njoftoi kryetarin se sivjet me rritjen e buxhetit për këtë ministri janë shtuar edhe masat mbështetëse për sektorin e blegtorisë, i cili sivjet do të mbështetet përmes granteve investive dhe pagesave direkte, e në të cilin mund të gjejnë mbështetje edhe fermerët e kësaj komune, të cilat sipas tij janë të njohur për veprimtaritë e tyre blegtorale.
Kjo mbështetje, sipas ministrit do t’i ndihmojë fermerët që të zgjerojnë veprimtaritë e tyre blegtorale, duke ndikuar kështu në zhvillimin e mëtejmë të këtij sektori në këtë komunë.
- Advertisement -