Projekt buxheti i vitit 2022, për herë të parë Kosova ndan dy milionë euro për shqiptarët e Luginës së Preshevës

Qeveria e Kosovës miratoi sot Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022, në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë eurosh.

Në këtë buxhet parashihet që 2 milionë euro të ndahen për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Për herë të parë kemi buxhetuar mbështetje për Luginën e Preshevës në shumë prej 2 milionë euro”, tha Kurti, shkruan Reporteri.net.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky është buxheti më i mirë që ka pasur ndonjëherë Kosova.

Kurti para gazetarëve gjithashtu tha se rritja dyshifrore ekonomike është lajmi që i frikëson të gjithë armiqtë e Kosovës. Madje shefi i qeverisë tha se nëse Kosova vazhdon me rritjen nga 10% do t’i afrohet Kroacisë.

“Sot lajmi kryesor që i frikësohen të gjithë armiqtë e Kosovës është kjo rritje dyshifrore ekonomike. A e dini se çka do të thotë nëse përgjatë viteve të kësaj dekade ne vazhdojmë me rritje nga 10 për qind ne do t’i afrohemi Kroacisë. Nëse vazhdojmë vit pas viti me këtë rritjen 10% që është e pashembullt në Ballkan ne do t’i afrohemi vendit që së fundmi iu bashkua BE-së”, tha Kurti.