Vazhdon shkëmbimi i mësimdhënësve dhe nxënësve ndërmjet Finlandës dhe Drenasit.

Që nga e hëna, profesori nga Finlanda, Ilkka Linderoos është duke dhënë mësim në gjuhën gjermane dhe në gjuhën angleze në gjimnazin e Drenasit.  Bashkëpunimi i gjimanzit të Drenasit me Finlandën ka filluar para disa vitesh, ku disa profesorë, dhe nxënës nga gjimnazi “Laukaan Lukio” në Finlandë kanë qëndruar në gjimnazin e Drenasit.

Profesor Ilkka ka sudiuar disa gjuhë në universitetet ndër më të mirat botërore, si atë të Jyvaskylias e të Turkus në Finlandë, të Spanjës në Cadiz, të Gjermanisë në Kassel dhe Trier,  të Kembrixhit në Angli, pastaj në Austri  e Irlandë. Po ashtu ka ligjeruar dhe ka dhënë mësim në shumë vende të Evropës, si në Angli, Gjermani, Irlandë, Austri etj.  Vitin e kaluar madje edhe në universitet në Kinë. Është njohës i shumë gjuhëve në nivelin e gjuhës amëtare.

Para fillimit të mësimdhënies në gjimnazin e Drenasit, mirë se ardhje profesorit nga Finlanda i uroj kryetari i Drenasit z. Lladrovci. Kryetari Lladrovci shprehu konsideratë të lartë për mësimdhënësin nga Finlanda. “Është nder i veçantë për ne profesor Ilkka, që keni ardhur në Drenas dhe ju falënderoj çiltërsisht për mbështetjen tuaj gjithnjë konkrete dhe praktike  për shkollat e Drenasit dhe për komunën tonë.” tha kryetari Lladrovci. Ai theksoi po ashtu, se  kontributi disa vjeçarë i profesor Ilkkës për nxënësit, profesorët dhe komunën e Drenasit përmes programeve të shkëmbimve për nxënës, mësimdhënës, drejtorë të shkollave dhe drejtorë të arsimit nga Drenasi dhe Finlanda ka qenë dhe po vazhdon të jetë qenësor për bashkëpunimin tonë. Kryetari Lladrovci u kërkoi gjimnazistëve në Drenas, që ta shfrytëzojnë këtë mundësi të mësimdhënies, që po ofron profesori finlandez për të mësuar sa më shumë.

Nga ana e tij profesor Ilkka tha, se ndihet i nderuar, që është në Drenas. “Falënderoj kryetarin Lladrovci për vlerësimin, si dhe për angazhimin e tij konkret për të thelluar bashkëpunimin në mes të Drenasit dhe shkollave finlandeze, si dhe për kujdesin që po tregon në fushën e arsimit.” theksoi profesor Ilkka. Profesori finlandez shtoi, se me kënaqësi ka mbajtur mësim dhe është duke mbajtur mësim me gjimnazistët e Drenasit.“Kam mbajur mësim e ligjerata në shumë vende në universitete e shkolla, mirëpo të mbaj mësim me gjimnazistët e Drenasit është kënaqësi e veçantë për mua, nxënësit janë të zellshëm, mjaftë aktiv dhe kureshtarë, atribute shumë të rëndësishme për suksese.” tha professor Ilkka.

Është planifikuar që vitin e ardhshëm nxënës dhe mësimdhënës nga Drenasi të ndjekin mësimin në gjimnazin Laukaan Lukio në Finlandë, dhe po ashtu nxënës dhe mësimdhënës, si dhe drejtues të institucioneve arsimore nga Finlanda ta vizitojnë Drenasit, me qëllim vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit.