Skenderaj
Skenderaj - Drenica Press

Profesori nga Skenderaj, Nezir Bejta, që njëherit ishte kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, por nuk ka arritur të mbledh vota për të hyrë në Kuvendin e Kosovës, i ka shkruar letër liderit të tij, Albin Kurtit, shkruan Drenica Press.

Më poshtë e keni shkrimin e tij të plotë:

I nderuari Kryeministër,

Së pari të uroj për fitoren e madhe, pjesë e secilës janë edhe bashkëvendësit e mi, por të kërkoj falje, sepse unë nuk munda të bëjë më shumë. Nuk më besuan më shumë vota zoti Kryeministër , sepse u përballa me kanunin dhe njerëzit e tij, të cilët për njëzet vjet të gozhduan e të përbuzën si armikun më të madh. Dhe ne ju besuam zoti Kryeministër, sepse besonim në luftën dhe sakrificën e tyre, pa e ditur se po na mashtronin. Ne i pamë, por nuk deshëm t’ju besojmë se ata po e shpërdoronin pushtetin, sepse mbi supe mbanin barrën gjakut dhe sakrificën e një populli të tërë. Ne jemi rritur me urrejtjen ndaj teje, dhe me këmishën e gënjeshtrës e cila na është ngjitur për trupi. Ndoshta edhe mund ta kemi gabim, por të lutem, mundohu t’na bindësh se nuk je i keq, sepse ende mendojmë se në programin tënd e ke të shkruar se nuk e donë shtetin tënd, se je komunist, se do t’i largosh nga puna të gjithë drenicasit, se do të na burgosësh të gjithëve, e se do t’na e vësh kufirin në Komoran. A janë të vërteta këto? Ne zoti Kryeministër nuk jemi aq të këqij, të këqij na bënë këta pushtetarë që na e shpërlanë trurin duke na shndërruar në servilë, heshtak e robot, prandaj mundohu të na kuptosh, dhe të mos na urresh ashtu siç të urryem ne.
Zoti Kryeministër, po të tregoj edhe diçka: këta janë të paditur, nuk janë edhe aq të mençur sa duhet, ndryshe s’do ta kishin lënduar aq shumë atdheun, e kur t’i kuptosh këto, do t’na kuptosh edhe ne, pse të urryem aq shumë, e pse nuk të votuam.
Ne jemi këtu Kryeministër!

Fotografia e Nezir Bejta