Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit Daut Haradinaj, u përkrah për procedim në seancë plenare Projektligji Nr. 05/L-02 për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit dhe i rekomandohet Kuvendit për miratim.
Kryetari i Komisionit, Daut Haradinaj, sqaroi se ky projektligj ka marrë dritën jeshile nga komisionet parlamentare. Ndërkaq, propozim- amendamentet e anëtarit të Komisionit, Rexhep Selimi, nuk kanë qenë brenda afatit kohor. Propozim-amendamentet e anëtarit të Komisionit, Zafir Berisha, pa përkrahjen e Kuvendit procedohen në Kuvend.
Më tej, anëtarët e Komisionit formuan grup pune për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit Nr.04/L-076 për Policinë, si dhe grupin punues për Projektligjin për Komisionarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për Forcën e Sigurisë dhe Policinë e Kosovës (i hartuar gjatë legjislaturës së kaluar nga Komisioni).
Haradinaj ka informuar anëtarët e komisionit edhe për vizitën e bërë në Brigadën e Reagimit të Shpejtë në Istog, duke vlerësuar lart gatishmërinë e pjesëtarëve të këtij formacioni. Ndërsa, sqaroi se Komisioni vizitën e radhës do ta realizojë në Akademinë Policore në Vushtrri.