Maturantët e gjimnazit të Drenasit sivjet janë të pakënaqur me vendimin që ka marrë drejtoria e shkollës se ku do të organizohet mbrëmja e maturës.
Shumica e nxënësve kishin shprehur dëshirën që mbrëmjen e maturës ta mbajnë në këtë restorant, që ishte i preferuari i tyre, por drejtoria e shkollës përzgjodhi një restorant tjetër, raporton KTV.
Preferencën e tyre nxënësit fillimisht e kishin shprehur përmes kryetarëve të klasave, duke votuar dhe zgjedhur që kjo natë festive të mbahet në vendin ku ata dëshirojnë.
Pakënaqësinë e tyre me vendimin e drejtorisë së Gjimnazit, maturantët e shprehën duke protestuar para shkollës por edhe para komunës.
Nuk duan të flasin para kamerës por thonë se vetë fakti që mbrëmja organizohet me paratë e tyre është faktor i mjaftueshëm që ata vet të vendosin se ku duan ta mbajnë.
Pronari i restorantit, të cilin e përzgjodhën maturantët, thotë se nuk u përzgjodh për inate politike, pasi që është mbështetës i një subjekti tjetër politik e jo i PDK-së.
Sipas Muhamet Sinanit, kryetari Ramiz Lladrovci ka vendosur se në cilin restorant të mbahet mbrëmja e maturës.
Ndërhyrjen për qëllime politike e mohojnë në komunën e Drenasit. Zyrtarë të komunës janë përgjigjur me shkrim, duke insistuar se përzgjedhja është bërë nga komisioni i themeluar i Këshillit Drejtues të Shkollës.
“Sa i përket supozimeve për ndërhyrje nga Kryetari i Komunës dhe Drejtori i Arsimit në përzgjedhjen e vendit, kjo nuk qëndron. Përzgjedhja është bërë nga Komisioni përcaktues e formues nga Këshilli Drejtues i Shkollës. Kryetari vetëm dje, pas orës 15:30, e ka kuptuar se kush është përzgjedhur nga Këshilli Organizativ”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Drenasit.
Ndërkaq, drejtori i gjimnazit thotë se nuk mund të lëshohen në dëshira të rreth 500 nxënësve, pasi që kjo përgjegjësi është ekskluzivisht e drejtorisë së shkollës.
Pavarësisht se nxënësit e paguajnë vet këtë mbrëmje, drejtori Istogu thotë se përzgjedhja është bërë në bazë të ofertuesit më të lirë.