Probleme me energji elektrike, bie blloku ”Kosova A”

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, KEDS është informuar nga KEK-u për ndërprerje të paplanifikuar të prodhimit të energjisë elektrike në njësinë A3 të Termocentralit Kosova A në KEK.
Gjatë ditës së sotme, KEDS thotë se kanë arritur të importojnë sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike duke mos shkaktuar ndërprerje të furnizimit për konsumatorë për shkak të mungesës së njësisë A3.
“Në orët e vona të mbrëmjes së po të njëjtës ditë, nga KEK jemi informuar për ndërprerje të paplanifikuar edhe të njësisë A4 dhe fatkeqësisht për shkak të mungesës së rezervave të energjisë elektrike në vend dhe për shkak të pamundësisë së realizimit të importit në orë të vona të mbrëmjes, mund të ketë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike”, thuhet në njoftimin për media të KEDS-it.
Kompania lut qytetarët që ta kenë parasysh që nominimi dhe realizimi i importit nuk është i mundur në orë të vona të mbrëmjes, atëherë kur edhe operatorët tregtarë përfundojnë orarin e rregullt të punës.
“Nga KEK jemi informuar që janë duke punuar për kthimin e dy njësive të ndërprera gjatë ditës së sotme deri sa ende nuk jemi informuar saktësisht se kur do të bëhet rregullimi i prishjeve në këto dy njësi”, thuhet më tej në njoftim.
Në orët e hershme të mëngjesit të ditës së nesërme, zyra e KEDS-it për tregti me energji elektrike thotë se do të bëjë të pamundurën të realizojë sasi të mjaftueshme të importit me qëllim që furnizimi të vazhdojë të jetë i rregullt.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT