Prishtinasit harrojnë, festojnë për 1 Maj

Varësisht simbolikës që ka 1 Maji, as këtë vit nuk pritet të këtë ndonjë ndryshim në Prishtinë. Asnjë tubim apo protestë për papunësinë, për më shume të drejta dhe kushte më të mira pune. Dita e punëtorëve në Prishtinë, ku janë të orientuara krejt institucionet e vendit, ka marrë ngjyrat e pushimit ose festës siç preferojnë ta cilësojnë vetë qytetarët. Piknik dhe çlodhje në ambiente të ndryshme. Kjo pritet të jetë agjenda e qytetarëve për 1 Maj. Komuna e Prishtinës nuk e ka parë këtë datë si shënjuese të manifestimeve, andaj, krejt çka ka ndërmarrë është se ka nxjerrë urdhëresë ku do ta ndalojnë qarkullimin rrugor në disa linja që çojnë për te Parku i Gërmisë, meqë, sipas tyre, pritet fluks i madh i qytetarëve që ta frekuentojnë atë pjesë të qytetit.

Qytetarët zgjedhin ambiente të ndryshme

Prishtinasja Zoje Gashi, e cila punon në sektorin publik pret që këtë ditë ta kalojë si rëndom. “Meqenëse është ditë e punëtorëve, ndoshta do të duhej të kishte më shumë ‘1 maj’ gjatë vitit, ku do të organizoheshin aktivitetet për vetëdijesimin e shoqërisë për të drejtat e punëtorëve, se edhe protestat po e shohim se nuk po kanë ndonjë rezultat. Unë nuk është që e festoj, po meqë është ditë pushimi mund të ndodhë që të dal diku”, tha ajo.

Ndryshe nga ajo, A.H. që punon në një kompani private në Prishtinë, thotë se të premten e ka ditë pune, dhe kjo, sipas tij, flet më së miri për gjendjen në të cilën ndodhen punëtorët. “Për 1 Maj do të punoj dhe kjo konfirmon për gjendjen në sektorin e punësimit në Kosovë, pasi që duhet të punohet edhe në festa. Në Kosovë nuk ka vend të festohet për këtë ditë, por duhet të protestohet. Në vende më të zhvilluara për këtë ditë festohet edhe pse të drejtat e punëtorëve respektohen më shumë”, tha ai.

Studentja nga Vitia, Ardiana, thotë se së bashku me disa shoqe të saj do të dalin diku në natyrë në rrethinë të Prishtinës.

Komuna bllokon disa rrugë

Meqë çdo vit të datës 1 Maji, Gërmia vërshohet nga pushuesit, Komuna e Prishtinës ka nxjerrë urdhëresë ku do ta ndalojnë qarkullimin rrugor që çon në atë zonë. Bllokada e rrugëve do të zgjatë për tri ditë. “Ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve, përveç autobusëve të NKP “Trafiku Urban”, linja 4, linja 5 “Ulpianë” dhe “Gërmia”, automjeteve të Policisë së Kosovës, të KFOR-it, të EULEX-it, të “Hortikulturës”, KRM “Pastrimi” dhe automjeteve emergjente gjatë Festës së 1 Majit, me 01, 02 dhe 03.05.2015 në drejtim të parkut të Gërmisë”, thuhet në urdhëresën e Komunës, e cila i është dërguar gazetës nga Zyra e informimit e Prishtinës.

Ndërkaq, pikat përfundimtare për lëvizjen e automjeteve, përveç banorëve të lagjeve “Sofali” e “Tauk Bahçe” do të jenë: 1. Kryqëzimi i rrugëve “1 Tetori” – “Nazmi Gafurri” dhe “Ymer Lutfi Paqarizi”. Pastaj, 2. kryqëzimi i rrugëve “Nazim Gafurri” – “Xhavit Ahmeti” dhe “Dr. Lec Gradica”, dhe po ashtu 3. Kryqëzimi i rrugëve “Rr. Shpëtim Robaj” me atë të “Sofalisë” në drejtim të pishinës dhe Parkut të Gërmisë. Siç ka bërë të ditur Komuna, transporti publik i qytetarëve për në Parkun e Gërmisë deri te pishina do të bëhet ekskluzivisht me autobusë të “Trafikut Urban”, linja 4, ndërsa linja 5 “Ulpiana” dhe “Gërmia” deri në “Sofali”.

“Inspektorët përgjegjës të Drejtorisë së Inspeksionit për datën e lartcekur do të: Parandalojnë shërbyesit e paautorizuar që të bëjnë shitjen –shërbimin ndaj qytetarëve; Organizojnë kujdestari me qëllim të ruajtjes së ambientit (përdorimin e zjarreve për destinime të ndryshme), si dhe hedhjen e mbeturinave në vendet të caktuara”, thuhet tutje në urdhëresë.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT