Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje i kanë ndarë rrugët në qytetin e Vushtrrisë.

LDK-ja e cila udhëheq me këtë komunë ka prishur koalicionin me partinë e udhëhequr nga Kurti. Kjo për shkak se këta të fundit nuk e kanë votuar dje Programin për Rimëkëmbje Ekonomike të Vushtrrisë. Këtë e ka konfirmuar kryetari i komunës Xhafer Tahiri.

Ai tha se këtë qasje të Vetëvendosjes nuk do ta durojë më.

“Në fakt dje LVV’ja në Vushtrri nuk e ka përkrahur planin e Rimëkëmbjes Ekonomike të Vushtrrisë. Ky një plan i hartuar për të dal nga kriza, një prej planeve më të rëndësishme edhe për një koncept ndryshe, se si do të duhej të dukej politika lokale në Vushtrri për 10 vitet e ardhshme. Për këtë arsye unë dje i kam bërë të ditur nënkryetarit të komunës dhe kryetarit të Degës që unë në këtë mënyrë nuk mund të vazhdojë koalicionin”, ka thënë ai për Express.

Sipas tij arsyetimi i asamblistëve të VV-së, për të mos e votuat këtë program, ka qenë se është vendim nga Kryesia e Degës së VV-së në këtë komunë.

“Arsyetimi ka qenë që është vendim i Kryesisë së VV’së për të mos votuar dje në Kuvend Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike dhe unë nuk mund të lejoj që vendimet në parti të ndikojnë në politikën apo në drejtimet që duhet ti marr komuna e Vushtrrisë apo për projektet e tjera siç ishte ai për Rimëkëmbjen Ekonomike të Vushtrrisë dhe shumë projekteve tjera të rëndësishme”, ka thënë më tutje ai.

Tahiri konfirmoi se tanimë i ka liruar nga detyra të gjithë bartësit e funksioneve publike në komunën e Vushtrrisë e që i përkasin VV’së.“Natyrisht që sot do të lirojë nga detyra të gjithë bartësit e funksioneve publike në komunën e Vushtrrisë. Tashmë edhe i kam liruar nga detyra”, ka deklaruar më tutje ai.