Një prind nga Fushë-Kosova, po akuzon Policinë e Kosovës se kanë arrestuar të shtunën djalin e tij të mitur dhe kanë ushtruar dhunë ndaj tij në stacionin policor në po këtë komunë.

Qytetari Refik Hyseni nga Miradia e Epërme e Fushë-Kosovës, ka treguar për “Zërin” rastin e arrestimit të djalit të tij 14-vjeçar të shtunën, ndërsa sipas tij e kanë mbajtur në stacion pa i dhënë të drejtë të lajmëronte prindërit për rreth një orë.

Për më tepër, Hyseni thotë se djali është ankuar për sjellje të dhunshme të policisë kur e kanë dërguar në stacion, ku si pasojë e dhunës thotë se që nga mbrëmë djali është i shtrirë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK.

“Dje rreth orës 16:00 ka qenë me djalin e madh dhe me një shok të tyre, duke dalur nga një lokal, ai ka harru me vendos maskën… nuk po e arsyetoj që nuk e ka vendosur maskën… Policia nga vetura e kanë parë dhe e kanë ftuar ‘eja këtu’, dhe ia kanë kërkuar letërnjoftimin, por djali i ka treguar se është 14-vjecar dhe s’ka letërnjoftim, pastaj ata i kanë thënë menjëherë ‘eja hyn në veturë’”, tregon për “Zeri.info” prindi i 14-vjeçarit.

Hyseni thotë se djali tjetër më i madh i tij që ishte bashkë me të, ka kërkuar nga Policia arsye për arrestimin e vëllaut të mitur, por as atij nuk i kanë dhënë asnjë shpjegim dhe e kanë nisur për në stacion.

Sipas babait, 14-vjeçari Asdren Hyseni, është mbajtur në stacion policor për rreth një orë, dhe vetëm atëherë thotë të ketë arritur të shkonte vet për të marrë informacione për arrestimin e djalit të tij.

Prindi i Asdrenit ankohet për sjellje të dhunshme të policit Jakup Gashi, që e akuzon se ka ushtruar dhunë edhe ndaj djalit të tij sa po mbahej në stacion.

“Pas 40 minutave që kam shku unë, kërkova arysen pse e kanë marrë djalin pasi askush nuk e dinim për çfarë arsyeje. Pastaj doli polici që e ka ndalu djalin dhe i kërkova shpjegim pse e kanë marrë një 14-vjecar dhe që 40 minuta nuk ja keni lajmëru prindin. Ai filloi duke bërtit, duke më kërku ku e kam maskën dhe ja shpjegova se nga stresi për djalin kam harru edhe maskën dhe i kërkova që të më dënojë për maskë, por doja të dija ku e kam djalin dhe filloi të bërtiste, unë i kërkova që të jetë më i qetë dhe e paralajmërova se mund ta lajmroj Inspektoratin e Policisë dhe pastaj ai deshi të më arrstonte edhe mua, pastaj ia shpjegova që unë kam studiuar për kriminalistikë dhe i kuptoj procedurat duke i kërkuar që të më tregojë se ku është djali”.

“Duke ecur drejt korridorit hasëm në një pjesë ku nuk kishte ndriqim dhe nuk shihej asgjë, pastaj polici më ka shtyrë. Unë i thash se vetëm po të kërkoj të më tregosh se ku është djali, ai prap filloi të bërtiste. Ai ka bërtit gjatë gjithë kohës dhe ka fyer në mënyra të ndryshme”, rrëfen Hyseni, të cilin gjithashtu e kanë gjobitur për msobarjte të maskës në Stacion.

Hyseni më tej ka treguar se i biri i tij 14-vjeçar, me të hipur në veturë, pas daljes nga Stacioni Policor, i ka thënë babait se polici i njëjtë e kishte rrahur në Stacion.

“Sapo kemi hyrë në veturë me djalin, ai më tregoi se e ka rrahur polici që bërtiste, tha nuk e di përse por kur më kanë fut në dhomë, unë i kam kërkaur ta lajmroj prindin, pastaj ai ma kapur dorën dhe m’ka përplas dhe më ka ul me focë dhe ka fillu me m’godit me shuplaka”, tregon Hyseni rrëfimin e të birit.

Ai tregon se djali i tij, i cili që nga mbrëmë është duke qendruar në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, është vizituar nga Ispektorati Policor ku e ka lajmëruar rastin për dhunë nga polici në fjalë.

“Nga aty unë e kam dërguar tek mjeku në Fushë-Kosovë, mjekët e verejtën se pulsi i zemrës ishte i lartë. Inspektorati i policisë ka qenë me vizitu djalin në spital por thanë se nuk po duan ta shqetësojnë djalin deri sa ta marrë veten. Polici është sjellur në mënyrën më të keqe të mundshme. Nga mbrëmë e kam djalin në spital dhe askush nga Stacioni i Policisë nuk ka thirrur për t’u informuar për gjendjen e djalit”, thotë prindi i Asdrenit, i cili tregon se ka marrë shumë mesazhe nga qytetarë të tjerë pasi ka publikuar rastin e dajlit, e thotë se për të njejtin polic janë ankuar edhe qytetarë tjerë./Zëri