Nga Barack Obama
Ka disa aspekte aspak të lehta në punën e një Presidenti. Por ka edhe disa përfitime. Si për shembull: Të takosh njerëz të jashtëzakonshëm. Apo të qëndrosh në zyrë kur duhet të bësh një ndryshim të rëndësishëm për vendin tënd. Air Force Një.
Por ndoshta dhurata më e madhe dhe e papritur e kësaj pune është të punuarit pranë shtëpisë. Për shumë vite, jeta ime ka kaluar në udhëtim, në distanca të largëta. Nga shtëpia ime në Chicago, në Springfield: Illinois; si senator shteti dhe pastaj në Uashington, D.C, si senator i SHBA. Më është dashur të punoj edhe më fortë për të qenë babai dhe bashkëshorti shembullor.
Por, që prej 7 vitesh e gjysmë, ky udhëtim është kthyer në 45 sekonda – koha që duhet për të shkuar nga dhoma e ndenjes në Zyrën Ovale. Si rezultat i kësaj, kam pasur më shumë kohë të kujdesem për vajzat e mia që rriten dhe kthehen në zonja të reja, të zgjuara, të këndshme e të mrekullueshme.
Por as kjo nuk është e lehtë, megjithatë. T’i shohësh duke u larguar nga foleja… Por ajo që më bën optimist është koha gjatë së cilës ato po kthehen në zonja të reja. Përparimi përgjatë 100 viteve të shkuara, 50 viteve dhe po, edhe 8 vitet e fundit kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së vajzave të mia, më mirë seç ka qenë për gjyshet e mia. Dhe e them këtë jo vetëm si President por edhe si feminist.
Në jetën time, kam jetuar në vite kur femrës i duhej të punonte shumë dhe në pozicione të paguara shumë pak, der sot, kur gratë punojnë në sektorë drejtues në fusha të ndryshme, të rëndësishme: nga sporti në hapësirë, nga Hollywood-i në Gjykatën e Lartë. Prandaj, nuk duhet ta harrojmë sa larg kemi arritur për sa i takon progresit të gruas. Kjo do të ishte e padrejtë për këdo që ka luftuar për të drejtat e grave. Në të njëjtën kohë, ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim, për ta përmirësuar perspektivën dhe gjendjen e grave dhe vajzave këtu dhe në botë . Ndërsa unë do vazhdoj të punoj për politika favorizuese – për pagesa të barabarta në punë të njëjta, mes gjinive – duke ndryshuar disa gjëra që nuk kanë të bëjnë me vendosjen e ligjeve të reja.
Në fakt, ndryshimi më i madh dhe më i vështiri ka të bëjë me ndryshimin e vetes.
Kjo është një çështje për të cilën kam folur në Qershor, në Samitin e parë të Grave, në Shtëpinë e Bardhë. Edhe pse kemi arritur larg, ne shpesh-herë përkufizohemi nga stereotipe për faktin se si gratë apo burrat duhet të sillen. Një ndër heroinat e mia është Kongresmenia Shirley Chisholm, e cila ka qenë e para grua arikano-amerikane që ka garuar për t’u emëruar në një prej partive të mëdha. Ajo ka thënë, “Stereotipi emocional, seksual dhe psikologjik i femrave fillon që kur doktori thotë se fëmija është vajzë. Ne e dimë se këto stereotipe ndikojnë në faktin se si vajzat e shohin veten duke filluar që nga mosha e njomë, duke i bërë të ndihen se nëse nuk duken apo sillen në një mënyrë të caktuar, ato do të jenë më pak të vlefshme. Në fakt, stereotipet gjinore ndikojnë te të gjithë ne, pavarësisht gjinisë, identitetit apo orientimit seksual.
Njerëzit më të rëndësishëm në jetën time kanë qenë gjithnjë gra. Jam rritur prej një nëne single, e cila e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës duke ndihmuar gratë e vendeve në zhvillim të forcohen dhe rriten. Kam parë mamanë time, e cila më ka rritur, duke punuar edhe për të thyer stereotipet gjinore. Si shumë nëna që punojnë, ajo shqetësohej për pritshmëritë dhe gjykimet për mënyrën se si duhet të përballonte kompromiset, duke ditur se pak njerëz do të vinin në diskutim zgjedhjet e mia. Dhe e vërteta është se kur vajzat tona ishin të vogla, shpesh largohesha në angazhimet si punonjës shteti, duke e xhongluar këtë me detyrimet si pedagog i Drejtësisë në Universitet. Tani mundem të shoh prapa dhe të kuptoj se përgjegjësitë e parealizuara prej meje ranë të gjitha mbi Michelle.
Për këtë arsye më pëlqen të mendoj se kam qenë në dijeni gjithmonë për sfidat e mëdha që grave i duhet të përballojnë – kjo ka formësuar ndjenjën time të feminizmit. Por gjithashtu më duhet ta pranoj se duke qenë baba i dy vajzave, bëhesh edhe më shumë i ndërgjegjshëm për mënyrën se si stereotipet gjinore penetrojnë shoqërinë e sotme. Sheh si sinjalet e buta dhe të forta të seksizmit transmetohen nëpërmjet kulturës. Ndjen presionin e madh se si vajzat duhet të duken, sillen dhe madje mendojnë në një mënyrë të caktuar.
Dhe po të njëjtat stereotipe ndikuan ndërgjegjjen time si mashkull i ri. Duke qenë rritur pa baba, kam kaluar një kohë të gjatë duke u munduar të gjej se kush isha, se si bota më perceptonte, dhe lloji i burrit që dëshiroja të bëhesha. Të marrësh gjithë llojet e mesazheve prej shoqërisë mbi maçoizmin dhe madje edhe të besosh se ekziston një mënyrë e saktë dhe një e gabuar për të qenë mashkull. Por, ndërsa u rrita, kuptova se idetë për të qenë ‘një djalë i fortë’ apo një ‘djalë cool’ thjesht nuk më përfaqësonin. Ishin vetëm një manifestim i rinisë dhe pasigurive të mia. Jeta u lehtësua shumë kur thjesht nisa të isha vetvetja!
Prandaj, duhet t’i thyejmë këta kufij. Na duhet të ndryshojmë sjelljen që i ka bërë vajzat tona të rriten si ‘më të dobta’ dhe djemtë ‘më të fortë’ e që bëjnë që vajzat tona të shihen me habi kur ngrenë zërin, apo meshkujt kur lotojnë. Ne na duhet të ndryshojmë sjelljen që lejon dhunimin e vajzave në mënyrë të vazhdueshme, duke ecur në rrugë, por edheonline. Ne na duhet të ndryshojmë sjelljet që mësojnë meshkujt të ndihen të kërcënuar nga suksesi i grave.
Na duhet të ndryshojmë sjelljen që uron meshkujt vetëm sepse ndërrojnë një pelenë, stigmatizon baballarët me kohë të plotë dhe penalizon mamatë që punojnë. Duhet të ndryshojmë sjelljen që vlerëson të qenit besimplotë, konkurrues dhe ambicioz në vendin e punës – por jo nëse je grua. Në këtë rast, ti je e pasjellshme, dhe papritur të gjitha cilësitë që mendon se janë të rëndësishme për sukses, në fakt, të ndalojnë.
Ne na duhet të ndryshojmë një kulturë e cila rrezaton një dritë ndëshkimi për gratë, ashtu si për vajzat me ngjyrë. Michelle shpesh ka folur për këtë. Edhe pasi ajo ka arritur sukses në të drejtën e saj, ajo ende ka dyshime; shpesh i është dashur të pyesë veten nëse dukej ashtu si pritej apo nëse po sillej mirë-nëse po bëhej shumë e egër apo tepër ‘e nevrikosur’…
Si prind, të ndihmosh fëmijët të rriten përtej këtyre ‘shtrëngimeve’ të shoqërisë është një proces konstant të mësuari. Michelle dhe unë i kemi rritur vajzat me idenë që të flasin kur shohin një standard të dyfishtë, që bazohet në gjininë apo racën e tyre-apo kur shohin që kjo po i ndodh dikujt tjetër. Ka shumë rëndësi për ato që t’i shohin qartë modelet e roleve të cilat ngrihen në nivelet më të larta, në çfarëdo fushe që ato do të zgjedhin. Dhe po, është e rëndësishme që babai i tyre është feminist, sepse kjo është ajo që ato duhet të presin prej të gjithë burrave.
Feminizmi i shekullit të 21 ka të bëjë me idenë se kur të gjithë janë të barabartë, jemi të gjithë më të lirë. /Glamour