Presidenti i Feronikeli, Naser Ramaj, i ka akuzuar gjyqtarët e Ipko Superligës për padrejtësi ndaj skuadrës së tij, duke i quajtur të shitur dhe duke e fajësuar Federatën e Futbollit të Kosovës për këtë.

Feronikeli pas njëmbëdhjetë xhirove numëron 19 pikë dhe pozicionohet në vendin e pestë në renditjen tabelore.

‘Nikli’ sot ka arritur fitore mjaft të mundimshme ndaj Vushtrrisë me rezultatin 0:1, falë golit të Bojkut në minutën e 93’të të ballafaqimit.

Përkundër fitores, tek skuadra e Feronikelit kishte edhe disa momente tensioni, kur Kastriot Rexha dhe Da Silva ishin paksa të nevrikosur dhe shkëmbyen fjalë mes vete – derisa edhe u afruan afër njëri-tjetrit, “për t’i qëruar hesapet”, me ç’rast edhe u ndëshkuan me kartonë të verdhë nga gjyqtari kryesor i duelit, Gramos Shala.

Lidhur me incidentin e lojtarëve të Feronikelit, ka reaguar edhe presidenti i klubit nga Drenasi, Naser Ramaj, i cili tha se këto janë gjëra të zakonshme.

“Këto janë fjalosje të zakonshme që mund të kenë lojtarët e një ekipi ndërmjet vete. Gjyqtari i dënon dy lojtarët e mi me kartonë për shkak se njëri ia prek dorën edhe e kritikon. Aty gjyqtari nuk është dashur të reagoj. Tek e fundit ata janë shokë”, tha fillimisht Ramaj për ‘GazetaBlic’.

Megjithatë, presidenti i Feronikelit më shumë ka dashur të komentojë lidhur me referimin, i cili sipas tij nuk është fare në nivelin e duhur.

“Një gol na u është anuluar dhe një penallti nuk është akorduar. Dëmet më të mëdha neve po na vijnë sivjet nga referët e Superligës, ku fajin kryesor e ka Federata e Futbollit të Kosovës, e cila po bën pazare me djersën e huaj. Kjo është ndeshja e tretë që dëmtohet ekipi i Feronikelit , por nuk jemi te vetmit. Të gjitha klubet e kanë të njëjtin problem. Referët në Kosovë që dëmtojnë ekipet dënohen me nga një ndeshje mos-referim, por marrin pare të majme për ato gabime tendencioze”, tha ai.

Ndeshja Vushtrria- Feronikeli, rasti për të cilin Ramaj pretendon se skuadra e tij është dëmtuar

Ramaj theksoi se ekipi i Feronikelit nuk është i vetmi që po dëmtohet në Superligë, pasi ai mendon se raste të njëjta po i ndodhin edhe klubeve të tjera.

“E kemi parë lojën e Dritës me Feronikelin – ku goli shënohet nga pozita jashtë loje edhe atë me tri metra diferencë. Federata e Futbollit të Kosovës është e obliguar t’i dënoj ata referë, por dënimet e tyre po i shohim. 90% të referëve të Superligës janë njerëz të shitur së bashku me Federatën që e bënë përzgjedhjen e tyre. Ne kemi vendosur që Superligën ta tërheqim nga Federata dhe së shpejti do të kemi takim me të gjitha ekipet dhe Superligën do ta udhëheqë Superliga dhe jo Federata. Ky është krimi më i madh që po i bëhet sportit kosovar”, vazhdoi presidenti i Niklit.

Ai pohon se është shumë i zhgënjyer me ecurinë e sportit kosovar dhe thotë se investitorët më të mëdhenj po e humbin durimin..

“Deri kur kështu? Jam shumë i zhgënjyer me ecurinë e sportit në Kosovë. Gjithë investitorët po e humbin durimin. Unë bëjë 600 kilometra të vi ta shoh një ndeshje – e kur përfundon takimi kthehesh i dëshpëruar, sepse një gjyqtar ta shet lojën për 3000€ ose 5000€ . Ky është futbolli i Kosovës. Në këtë situatë na ka sjellë Federata e Futbollit të Kosovës e cila po mbikqyrë Supërligen, si dhe komisionet dhe ato të monitorimit të ndeshjeve”.

Në fund, Ramaj tha se në të ardhmen ose do të ndryshohen gjërat – ose Superliga do të humb gjithë njerëzit që po bëjnë investime të mëdha në futboll.

Mendoj se së shpejti do të ndryshojmë shumë gjëra ose do i humbim të gjithë njerëzit që kanë vullnetin per investim ne sport. Thjeshtë një sistem i krimbur në FFK. Ata janë edhe turpi i sportit kosovar. Ata fshihen pas rezultateve të kombëtares – por aty nuk kanë asnjë meritë, sepse me sa di unë asnjë prej Federatës nuk luan tek kombëtarja, ka edhe shumë gjera te tjera – por me kohen do të dokumentohen të gjitha”, përfundoi Ramaj.