Ofensiva e prillit 1999 ishte përballja më e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj forcave pushtuese serbe.
Kështu u tha me rastin e shënimit të Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës në Marec, ku u përkujtuan 47 dëshmorë dhe 37 martirë të Zonës Operative të Llapit, si dhe pesë dëshmorë të Zonës Operative të Karadakut.
Ish-komandanti i Brigadës 153, Fatmir Sopi tha se dëshmorët e kësaj ane do të kujtohen brez pas brezi dhe vepra e tyre do të jetë e pavdekshme.
“Dëshmorët janë të pavdekshëm nga se jeta, vepra dhe heroizmi i tyre do të kujtohen për jetë nga të gjithë kombi shqiptar brez pas brezi. Ofensiva e prillit ishte përballja më e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj forcave pushtuese serbe, aty më së miri u pa vendosmëria e ushtarëve tanë dhe në veçanti qëndresa dhe heroizmi i këtyre trimave që i nderojmë sot”, tha Sopi.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli thotë se malësia e Marecit ka strehuar në kohën e luftës rreth 60 mijë njerëz nga Prishtina.
Ai si përfaqësues i Komunës së Prishtinës u zotua se infrastruktura e varrezave të dëshmorëve do të përfundojë së rregulluari.
“19 vite më parë është ky objekt i cili gjendet në kurrizin tim që na shërbente për t’i shëruar plagët e ushtarëve tanë. Sot e përkujtojmë rezistencën dhe trimërinë e heronjve tanë, guximin dhe bujarinë e popullatës së kësaj malësie, e cila priti dhe strehoi më se 60 mijë qytetarë të qytetit, të cilët ishin dëbuar nga kryeqyteti i qendrës sonë, ishin nisë në drejtim të kësaj malësie, u pritën, u vendosën, u ushqyen dhe asnjë nuk e lamë të qëndroi në rrugë. Komuna e Prishtinës ka ndarë një buxhet të mjaftueshëm vetëm për të filluar ndërtimin dhe rregullimin e këtyre varrezave dhe unë besoj shumë se në vitin jubilar në 20 vjetorin e betejës së Marecit, këto varreza do të jenë të përfunduara dhe nuk do të qëndrojnë kështu”, tha Pacolli.
Deputeti Shemsi Syla, ish-pjesëtar i UÇK-së, tha se Malësia e zonës së Gollakut, kur atdheu kishte më së shumti nevojë, e kaloi provimin. Ai tha se luftëtarëve, Mareci ua shtroi sofrën që e ka bërë të pasur dhe ia ka afruar djemtë më të mirë ushtrisë për lirinë e vendit.
Në Betejën e Marecit u përfshin në luftime dy zona operative: Zona Operative e Llapit me Brigadën 153 dhe Zona Operative e Karadakut me Brigadat 171,172 dhe 173.