Premtohen më tepër se 1.5 milion euro investime për Gjilanin dhe Vitinë

Në vazhdën e vizitave nëpër komuna të Kosovës, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala sot vizitoi Gjilanin, ku është pritur nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ndërmjet ministrit Shala dhe kryetarit Haziri, u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet MKRS-së dhe komunës, sidomos në fushat që lidhen me institucionet e kulturës, fushën e sportit, si dhe politikat e rinisë.

Ministri Shala dhe kryetari Haziri u shprehën se këto takime janë tejet të rëndësishme për t’u njohur për së afërmi me problemet të cilat lidhen me institucionet e kulturës, sportin, si dhe politikat e rinisë, për të cilat fusha kërkohet një bashkëveprim ndërmjet MRKS-së dhe komunës.

Në kuadër të kësaj vizite, ministri Shala, i shoqëruar nga kryetari Haziri, vizitoi muzeun e ardhshëm të Gjilanit, një projekt i cili është në finalizim e sipër, dhe që u vlerësua si tejet i rëndësishëm për kulturën dhe trashëgiminë kulturore të Kosovës, sidomos të rajonit të Anamoravës. Ministri Shala e vlerësoi këtë projekt dhe premtoi se do të bashkëpunojë me komunën që ky institucion i kulturës të funksionalizohet sa më parë.

Ministri Shala po ashtu vizitoi edhe Teatrin e Gjilanit, në të cilin MKRS-ja sivjet investon afro 100 mijë euro për renovimin e tij, dhe më pas vizitoi Sahat Kullën e qytetit, për të përfunduar vizitën e tij në stadiumin e qytetit, në të cilin MKRS-ja do të investojë për përmirësimin e infrastrukturës së tij.

Ministri Shala i shoqëruar nga kryetari Haziri, vizitoi komunën e Vitisë, ku është pritur nga kryetari Sokol Haliti. Ndërmjet ministrit Shala dhe kryetarit Haliti u bisedua për ndërtimin e palestrës sportive në Viti, punimet e së cilës pritet të fillojnë gjatë këtij viti. Ky projekt do të kushtojë 1.3 milion euro dhe është investim i MKRS-së.

Në kuadër të kësaj vizite në Anamoravë, ministri Shala i shoqëruar nga kryetari Haliti dhe ai i Gjilanit Haziri, vizitoi edhe shtëpinë e kulturës në Viti, renovimi i së finalizohet në vitin 2016, dhe për të cilin projekt MKRS-ja do të bashkëfinancojë me 230.000 euro, ndërsa Komisioni Evropian me 167.000 euro.

Vizita e ministrit Shala përfundoi në Stubëll të Epërme, ku ai i shoqëruar kryetari Haliti dhe famullitari i Stubllës, Don Albert Jakaj, vizitoi Muzeun e Shkollës së Stubllës, objekt ky i vlerësuar si i një rëndësie të veçantë për trashëgiminë kulturore të Kosovës. Me këtë rast, ministri Shala premtoi se MKRS-ja së bashku me komunën, do të bashkëpunojë për të mundësuar që ky objekt i rëndësishëm i kujtesës nacionale dhe identitetit kulturor të Kosovës vitin e ardhshëm të rinovohet tërësisht.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT